Ministri Çeku: Janë ndarë 3.7 milionë euro për mbështetjen e federatave sportive

19 korrik 2022 | 13:12

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka bërë me dije se deri më tani janë ndarë 3. 7 milionë euro në mbështetje të federatave sportive si dhe grante të tjera në formë të memorandumeve të bashkëpunimit me federata.

“Në mars të këtij viti përmes memorandumeve të bashkëpunimit me federatat sportive u zotuam për mbështetje financiare të federatave në vlerë prej 3.7 milionë eurove duke përcaktuar politika të reja të shpenzimit të buxhetit me qëllim të sigurimit të investimit në sportin për të gjithë dhe sportit për personale aftësi të kufizuara dhe në fuqizimin e vajzave në sport. Po ashtu, deri më tani janë ndarë 600 mijë euro për projekte të ndryshme nacionale përmes aneks memorandumeve me federata sportive dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës”, ka thënë Çeku në tryezën e dytë të sportit të mbajtur me drejtuesit e federatave sportive.

Më tutje, Çeku ka treguar se ka nisur procesi i rilicencimit të federatave sportive dhe u ka bërë thirrje drejtuesve të tyre që sa më parë të aplikojnë për ta bërë këtë.

“Që nga dje është hapur aplikimi për licencimin e federatave sportive. Për herë të parë licencimi i federatave do të bëhet me standarde të reja të qeverisjes dhe funksionimit të federatave tona vendore. Ashtu siç janë të parapara me udhëzimin administrativ për licencim të federatave dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të qeverisjes sonë. Një moment shumë i rëndësishëm i konsolidimit të integritetit të komunitetit sportiv të vendit tonë për çka iu ftojë të gjithëve që të na bashkoheni në këtë përpjekje dhe të punojmë në konsolidimin e integritetit sportiv dhe në të njëjtën kohë iu ftoj që federata që janë këtu por edhe të tjerat që nuk janë këtu që sa më parë të nisin t’i dorëzojnë aplikimet e tyre për licencim”, është shprehur Çeku.

Ndërsa presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, ka zbuluar se në bashkëpunim me MKRS-në janë duke hartuar strategji dhe drafte-protokolle që do ta ndihmojnë sportin për të qenë sa më unik në garat ndërkombëtare. “Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport ka hartuar një draft-protokoll të cilin e ka dorëzuar në ministri dhe i cili konsiderojmë se krahas KOK-ut, do të shërbejë edhe për të gjithaq federata sportive. Me këtë protokoll do të jemi më unik sa i përket përfaqësimit në garat ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Administratës së Përgjithshme ka njoftuar se të gjithë…