Ministri gjerman kundërshton kërkesën për rritje pagash prej 6 për qind

14 prill 2018 | 19:26

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, ka thënë të shtunën se ai do të vazhdojë të kërkojë për “rezultate më të arsyeshme në raundin e ri të bisedimeve lidhur me pagat e më shumë se dy milionë punëtorëve në sektorin publik, mirëpo ai ka kundërshtuar kërkesën e sindikatës Verdi për rritje pagash prej 6 për qind.

Bisedimet pritet të vazhdojnë të dielën pasi 150,000 punëtorë të sektorit publik kanë treguar pakënaqësitë e tyre javën e kaluar.

Si pasojë e grevave, mijëra persona kanë mbetur të bllokuar në aeroporte, në spitale, qendra të kujdesjes për fëmijët dhe mirëmbajtjes së mbeturinave.

Negociatori kryesor i qeverisë për këto bisedime, Seehofer, ka theksuar rëndësinë e punëtorëve të këtij sektori dhe ka thënë se është e “kuptueshme” që ata dëshirojnë të përfitojnë nga rritja ekonomike e shtetit.

Sidoqoftë, kërkesën e sindikatës më të madhe të punëtorëve, ai e ka cilësuar të paarsyeshme.

Sindikata Verdi ka thënë se 17,000 persona kanë marrë pjesë në aksionet e së premtes, duke dërguar në 150,000 numrin e personave që kanë marrë pjesë në shprehjen e pakënaqësisë.

Lideri i sindikatës, Frank Bsirske ka thënë javën e kaluar se pret rezultate në raundin e tretë të bisedimeve që nisin të dielën në Postdam, afër Berlinit.

Ai ka thënë se punëtorët e sektorit publik duhet të përfitojnë nga rritja e të ardhurave tatimore në Gjermani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka thënë…