Ministri i bujqësisë premton përkrahje për Anamoravën

20 tetor 2020 | 16:23

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka zhvilluar të martën vizitë pune në regjionin e Anamoravës, ku takoi kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri atë të Kamenicës, Qëndron Kastrati, të Komunës së Vitisë Sokol Haliti dhe atë të Ranillugut Vladica Aritonoviç, si dhe me përfaqësues të komunave Artanë e Partesh.

Përfaqësuesit e regjionit të Anamoravës e kanë njoftuar ministrin Mustafa për gjendjen në komunat e tyre, ku mes tjerash u fol edhe për sektorin e bujqësisë dhe sfidat e fermerëve.

Nga ana tjetër, ministri Mustafa ka thënë se nuk do të kursehet, as ai dhe as ministria, për t’u dalë krah fermerëve në tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohen fermerët në regjionin e Anamoravës.

Ministri Mustafa u zotua se brenda mundësive që ka Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, do ta përkrahë këtë regjion në të gjitha nivelet e mundshme.

Para përfaqësuesve të këtij regjioni, ministri foli edhe për subvencionet, pagesa e të cilave ka filluar këtë javë, kurse fermerët do të subvencionohen dy herë.

Mustafa foli edhe për master planin e ujitjes së tokave bujqësore, plan i cili pritet të realizohet gjatë dhjetë viteve të ardhshme dhe nga i cili Anamorava si regjion, do të përfitojë fuqishëm.

Përfaqësuesit e regjionit të Anamoravës, vizitën e ministrit Mustafa e cilësuan të vlefshme dhe inkurajuese për fermerët e kësaj ane.

(A. M / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drenica pas fitores ndaj Llapit në xhiron e kaluar, sot…