Ministri Lluka vizitoi kompaninë Gjirafa, i ofron mbështetje sektorit të IT-së

28 mars 2018 | 13:43

Ministri Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe ministrin e Administratës Publike Mahir Yagcilar, kanë vizituar kompaninë Gjirafa, ku janë takuar me themeluesin e kësaj kompanie Mergim Cahani.

Me këtë rast ministri Lluka ka thënë se investimi në teknologji siguron zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Jemi duke shikuar disa forma të bashkëpunimit që si Qeveri si mund të ndihmojmë sektorit privat në fushën që punon Gjirafa.com. Kemi gjetur disa mundësi të mira se si sektori publik do t’i ndihmojë në sektorin privat, por edhe sektori publik përfiton nga thithja e taksave nga zhvillimi i kompanive, por gjithashtu edhe nga shërbimet që vijnë nga ky sektor”, është shprehur ministri Lluka.

Po ashtu, ministri Lluka ka pohuar se kompanitë e këtij lloji ndihmojnë për të mirë në imazhin e Kosovës, duke treguar kështu ide kreative që i bashkohen tregut më të ri digjital në botë.

“Është krenari të shohim një kompani të tillë me një përmasë kaq të madhe që ta kemi lider në botë sidomos tek avancimi i gjuhës shqipe, rregullimi i gjuhës shqipe dhe kërkimi që bëhet përmes gjuhës shqipe. Interesi jonë është kërkimi dhe avancimi në gjuhën shqipe”, ka thënë ministri Lluka.

Ndërsa, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka theksuar se Qeveria ka për qëllim kryesor mbështetjen e sektorit privat. “Gjirafa është bërë shembull i ekonomisë digjitale në Kosovë me zhvillimet e saja që ajo po avancon”, është shprehur Beqaj.

Nga ana e tij ministri i Administratës Publike, Mahir Yagqilar, ka deklaruar se po shikohen mundësit e bashkëpunimit sa më efikas.

Mergim Cahani themelues i kompanisë Gjirafa tha se është kënaqësi të shohësh Qeverinë tek ndihmon sektorin privat.

“Jemi duke u rritur shumë shpejt në Kosovë dhe rajon sidomos nga aspekti i gjuhës shqipe dhe po shikojmë për bashkëpunime të ndryshme se si ta rrisim këtë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Cahani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra Sportive “Bujqësia” është shndërruar një vend ku qytetarët e…