Ministri Murati tregon se ku do t’i marrë qeveria 75 milionë euro për rrymë

21 janar 2022 | 16:10

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave ende nuk ka vendosur se prej cilit kod buxhetor do t’i sigurojë mjetet e zotuara prej 75 milionë eurosh për subvencionimin e tarifave të shtrenjtuara për rrymën e shpenzuar deri në 600 kWH.

I pyetur nga “Kosovapress”, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka dhënë detaje se ku do t’i gjejë qeveria mjetet prej 75 milionë eurove për subvencionimin e rrymës për qytetarët dhe bizneset.

Murati ka theksuar se nuk kanë planifikuar mjete buxhetore për krizën energjetike me buxhetin e vitit 2022, mirëpo sipas tij këto para do të sigurohen nga mjetet e kontigjencës ose nga Pakoja e ringjalljes ekonomike.

“Kjo është një situatë emergjente dhe nuk është se kemi mundur ta parashohim një shumë të tillë në buxhetin të cilin e kemi dorëzuar në Kuvend në fund të tetorit. Mjetet duhet t’i sigurojmë, sepse ka linja buxhetore të kontigjencës, ka linja edhe nga Pako e ringjalljes ekonomike, sepse duhet pasur parasysh se mbështetja për të pasur furnizim të rregullt nënkupton edhe mbarëvajtje të ekonomisë në një formë. Në anën tjetër, nëse kthehen reduktimet ose çmimi shtrenjtohet në nivel të papërballueshëm kjo shkakton probleme zinxhirë edhe në ekonominë e vendit”, ka thënë Murati.

Murati, në një konferencë për media ka ngritur edhe çështjen e mosmiratimit të marrëveshjes ndërkombëtare, për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në vend.

Për marrëveshjen rreth 47 milionë euro, ministri Murati ka thënë se premten pasdite do të realizojnë një takim virtual me drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore për mundësinë, siç ka thënë ai të vazhdimit tutje të kësaj marrëveshjeje.

Më tutje, ai ka thënë se rrëzimi i marrëveshjes ndërkombëtare nga LDK-ja ishte i papritur.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ylli i Napolit dhe Lazios, Valon Behrami, ka ndërprerë kontratën…