Ministri Peci merr përkrahje nga universiteti i Iowas për shkëmbimin e përvojave akademike në bujqësi

21 shtator 2021 | 12:33

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, gjatë vizitës zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të universitetit shtetëror të Iowas.

Gjatë takimit të ministrit Peci me presidenten e universitetit të shtetit të Iowas, Wendy Wintersteen është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit përmes projekteve konkrete për bujqësinë, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në bujqësi. Krahas kësaj, gjatë këtij takimi është diskutuar edhe mundësia e organizimit të takimeve dhe vizitave studimore në të ardhmen për ekspertë të fushës dhe studentët nga Iowa në Kosovë dhe anasjelltas.

Po ashtu, ministri Peci, e ka njoftuar atë për angazhimin e tij gjatë këtij mandati, që sektorin e bujqësisë ta zhvillojnë duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Ai ka thënë se duke pasur parasysh edhe marrjen e përvojës nga shteti i Iowas, Kosova mund të mësojë shumë nga praktikat dhe tradita e madhe bujqësore në këtë shtet.

Ata janë pajtuar që përmes projekteve konkrete të fillojnë bashkëpunimin në të ardhmen. Me këtë rast, ministri Peci e ka njoftuar edhe me të arriturat në sektorin e bujqësisë në Kosovë dhe për potencialet që ka ky sektor për të ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në kuadër të kësaj vizite, ai ka qëndruar edhe Fakultetin e Shkencës të Kafshëve, ku është takuar me udhëheqësin e Departamentit të Shkencës së Kafshëve, Dan Thomson, me ç ’rast e ka njoftuar atë me racën aktuale të gjedheve në Kosovë. Në këtë drejtim, ai ka marrë mbështetjen e tij për të konkretizuar projekte të përbashkëta që kanë për qëllim përmirësimin e racës së gjedheve në Kosovë.

Krahas kësaj, ministri ka vazhduar me vizitat e tij edhe në Fakultetin për Agrokulturë dhe Shkenca të Jetës, ku ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e dekanatit të këtij fakulteti, Jay Harmon, ku është njoftuar mbi praktikat e tyre të punës dhe shërbimet që i ofrojnë edhe për fermerët dhe sektorin privat, si dhe mënyrën e komunikimit dhe këshillimit që ndërlidh fermerët me profesionistë të fushës.

Në kuadër të universitetit shtetëror të Iowas operon edhe Qendra për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, të cilën e ka vizituar ministri Faton Peci, ku është takuar me drejtorin e kësaj qendre, John Crespi, njëherësh edhe profesor në Departamentin e Ekonomisë të Universitetit të Iowas.

Ministri është njoftuar për së afërmi me operimin e kësaj qendre, ku ka shprehur interesimin që një bashkëpunim konkret me këtë qendër të aplikohet në të ardhmen me Kosovën, për të nxitur zhvillimin e bujqësisë sipas praktikave që ofron kjo qendër.

Ndryshe, gjatë këtyre vizitave në Iowa, delegacioni i Kosovës është i shoqëruar nga profesori Curtis Youngs, i cili është një mik i Kosovës dhe ekspertiza e tij i kontribuon zhvillimit të sektorit të blegtorisë në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afrim Gashi dhe Alternativa siç duket në prag të zgjedhjeve…