Ministri Rikalo takon ministren e Bujqësisë së Gjermanisë, Julia Klockner

20 janar 2019 | 16:16

Gjatë qëndrimit në Berlin, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka takuar ministren e Ushqimit dhe Bujqësisë të Gjermanisë, Julia Klockner, gjatë takimit të organizuar nga SWG me ministrat e bujqësisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë këtyre takimeve është biseduar për mundësinë e përkrahjes së Kosovës nga Republika Federale e Gjermanisë përmes projekteve të ndryshme, duke avancuar kështu edhe më shumë sektorin e bujqësisë në vendin tonë.

Ministrja gjermane Klockner është zotuar se do të vazhdoj përkrahjen për Kosovën, si dhe do të ndihmoj sektorin e bujqësisë që të avancoj më shumë në procesin e integrimit evropian, konkretisht në mbarëvajtjen dhe përmbushjen e obligimeve që vijojnë nga procesi i MSA.

Ndërsa ministri Rikalo ka falënderuar Klocknerin për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që po ofron shteti gjerman për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, i cili sipas tij ka qenë shumë konkret përmes Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë dhe GIZ-it gjerman.

Ministri Rikalo është shprehur i gatshëm për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin me shtetin gjerman për realizimin e projekteve të ndryshme bujqësore, të cilat kanë për qëllim avancimin e sektorit bujqësor sipas praktikave më të mira evropiane.

Takimi i Ministrit Rikalo me homologen e tij gjermane është realizuar në kuadër të Panairit Ndërkombëtar “International Green Week” në të cilin kanë marrë pjesë ministrat e bujqësisë nga vende të ndryshme të botës, me shumicën prej të cilëve ministri Rikalo ka pasur rastin të takohet dhe të diskutojnë rreth bashkëpunimit dhe avancimit të sektorit bujqësor në nivel të vendit dhe rajonal.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Qendrën e Kulturës në qytetin e Mitrovicës është mbajtur…