Ministri Selimi: BE-ja, prioritet dhe synim strategjik për Kosovën
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur të premten në takim shefin e zyrës së BE-së/përfaqësuesin e posaçëm të BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog.
Në këtë takim, ministri Selimi ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë që Ministria e Drejtësisë ka me Zyrën e Bashkimit Evropian, e cila ka ofruar mbështetje të vazhdueshme përmes projekteve të cilat kanë sjellë cilësi, ekspertizë dhe infrastrukturë në sistemin e drejtësisë.
Në takim po ashtu u shkëmbyen pikëpamjet mbi rezultatet e Reformës në Drejtësi, veçanërisht procesi i Rishikimit Funksional i Sundimit të Ligjit dhe procesi i llogaridhënies duke përfshirë vettingun si pjesë e reformës, përmes së cilave synohet ngritja e llogaridhënies, efikasitetit dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor e prokurorial.
Përveç agjendës legjislative, ministri Selimi dhe shefi i zyrës së BE-së kanë diskutuar edhe për procesin e liberalizmit të vizave, si dhe detyrat të cilat e presin Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian, me ç’rast ministri
Selimi ritheksoi se Bashkimi Evropian mbetet synimi strategjik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për këtë institucionet e vendit janë të përkushtuara në avancimin e agjendës për integrim. “Fuqizimi i sundimit të ligjit dhe lufta e pakompromis kundër korrupsionit janë rruga e vetme e Kosovës dhe garantuese për të ardhmen e saj në Bashkimin Evropian”, ka thënë ministri Selimi.
Në kuadër të takimit ministri Selimi ka shprehur shqetësimin për moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë, e cila vazhdon të keqpërdorë Interpolin për ndalimin e qytetarëve të Kosovës.
Nga ana tjetër shefi i zyrës së BE-së/përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Tomas Szunyog ka theksuar se Bashkimi Evropian vazhdon të jetë i përkushtuar për të çuar më tej bashkëpunimin e ngushtë që ka me të gjitha institucionet e Kosovës për ta ndihmuar në proceset e zhvillimit të përgjithshëm si dhe bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian.
Në përfundim të takimit, ministri Selimi duke falënderuar Szunyogin për bashkëpunimin e deritanishëm ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e reformave në Kosovë dhe avancimit të agjendës të integrimit, e cili mbetet një nga synimet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
(M.Q / Epoka e re)



