Ministri Selimi: Lufta kundër korrupsionit, patriotizëm i kohës sonë

02 korrik 2020 | 11:12

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli.

Selimi në takim me Havollin, është njoftuar me aktivitetet dhe prioritetet e Agjencisë Kundër Korrupsionit, natyrën e rasteve të trajtuara nga kjo agjenci dhe njëherësh është informuar me angazhimin që ky institucion është duke bërë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë si dhe ecurinë e zbatimit të ligjeve të cilat ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit.

Po ashtu, Havolli e ka njoftuar Selimin me nismën për hartimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2021 – 2025.

Lufta kundër korrupsionit është detyrë e të gjitha institucioneve të drejtësisë, është shprehur ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, raporton “Epoka e re”.

Ai ka thënë se janë duke punuar brenda përgjegjësive të tyre për të siguruar rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në këtë drejtim.

“Lufta kundër korrupsionit me të drejtë konsiderohet si patriotizëm i kohës sonë dhe ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në këtë betejë të përbashkët. Jemi të vetëdijshëm se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës presin që institucionet e vendit, sidomos ato të drejtësisë të dëshmojnë përgjegjshmëri, integritet dhe transparencë gjatë vendimmarrjes. Prandaj përfshirja e të gjithë akterëve relevant do i bëjë edhe më efikase përpjekjet e gjithsecilit në luftën kundër korrupsionit” është shprehur Selimi.

Ndërsa Havolli ka vlerësuar nismat për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke shtuar se janë të gatshëm për të bashkëpunuar me Ministrinë e Drejtësisë, veçanërisht në aktivitetet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë me dije se…