Ministri Selimi në Dhomën e Posaçme për zvogëlimin e lëndëve të grumbulluara

27 tetor 2020 | 15:35

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka takuar të martën kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci dhe ushtruesin e detyrës së gjyqtarit mbikëqyrës të Dhomës së Posaçme, Ilmi Bajrami.

Gjatë këtij takimi, është diskutuar për bashkëpunimin, mbështetjen dhe mundësinë e krijimit të kushteve për zvogëlimin e numrit të lëndëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

“Pavarësisht sfidave që kanë gjyqtarët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, aty është shtuar efikasiteti, mirëpo ende duhet shumë punë. Që të çlirohet kapitali për ekonominë e tregut të lirë, këta gjyqtarë duhet t’i përkrahim me staf mbështetës dhe gjyqtarë të rinj”, ka thënë ministri Selimi.

Ministri Selimi ka shprehur gatishmërinë për krijimin e një fondi emergjent nga Qeveria e Kosovës, përmes së cilit do të krijoheshin mundësitë për zvogëlimin e lëndëve në këtë gjykatë duke shtuar numrin e gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. “Me kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Pecin dhe me U.d. gjyqtar mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme Ilmi Bajrami, u pajtuam që mbështetja më e madhe ndaj tyre mund t’i sjell shtetit, rreth 300 milionë euro, para të cilat po qëndrojnë të bllokuara”, ka theksuar Selimi.

Ministri Selimi garantoi për mbështetjen e tij në fuqizimin e të gjitha niveleve të gjykatave, sigurimin e pavarësisë së tyre, si edhe në rritjen e profesionalizmit dhe integritetit.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci dhe ushtruesi i detyrës së gjyqtarit mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme, Ilmi Bajrami shprehën gatishmërinë për punuar bashkërisht në zvogëlimin e lëndëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata Kosovare e MiniFutbollit Amator (SHKMA) ka njoftuar se Kosova…