Ministri Tahiri informon ambasadorët e BE-së për zhvillimet në sundimin e ligjit

19 mars 2019 | 15:45

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka takuar ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian me të cilët ka diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë.

Me këtë rast ministri Tahiri i ka njoftuar ambasadorët për reformat e ndërmarra legjislative të këtij sektori, që sipas tij, kanë qenë të diktuara nga tre përbërës themelor: rekomandimet e Komisionit Evropian të shprehura në raportet e vendit; përmbushja e Agjendës së Reformave Evropiane; si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tahiri ka përmendur ndryshimet e bëra në Kodin e ri Penal, reformimin e politikës së parandalimit të konfliktit të interesit përmes Ligjit të ri që rregullon këtë fushë, Pakon Kundër Korrupsionit si dhe Pakon e ligjeve të Gjyqësorit.

Sipas ministrit Tahiri, ndryshime thelbësore janë bërë edhe në Draft Kodin e Procedurës Penale, ndërsa aktualisht po punohet në Projektligjin për Deklarim të Pasurisë.

“Po shqyrtojmë listën e deklaruesve, për të bërë subjekte deklarimi secilën pozitë ku ka potencial për abuzim.  Jemi duke vendosur standarde të reja uniforme sa i përket të dhënave të deklaruara dhe jemi duke vendosur mekanizma të mirëfilltë të matjes së saktësisë së të dhënave të deklaruara që Agjencia do t’i ketë në dispozicion për verifikim”,  ka theksuar Tahiri.

Ministri Tahiri ka përmendur edhe agjendën e përbashkët “Drejtësia 2020”, e cila synon të adresojë pesë probleme themelore: reduktimin e backlogut; plotësimin e kapaciteteve; koordinimin ndërinstitucional; rritjen e performancës dhe përgjegjësisë së organeve të pavarura të zbatimit të ligjit; si dhe zbatimin efikas të ligjeve.

Ndonëse janë pushtete të ndara, ministri Tahiri ka theksuar se bashkëpunimi me “Drejtësia 2020” është bërë për të rritur dhe për të përmirësuar në përgjithësi sistemin e drejtësisë.

“Angazhimi i përbashkët i institucioneve të sistemit të drejtësisë në këtë agjendë është bërë mbi bazën e nevojës për një koordinim më të mirë dhe për një vetëdijesim më të madh ndër institucional për zbatimin e ligjit, gjithmonë duke ruajtur pavarësinë, pacenueshmërinë dhe individualitetin e secilit prej institucioneve të këtij sistemi”, është shprehur Tahiri, duke shtuar se përveç në këtë agjendë, do të punohet edhe në procesin e rishikimit funksional, për të parë nga afër problemet dhe për të gjetur zgjidhje afatgjate.

“Krahas ‘Drejtësia 2020’ dhe agjendës legjislative, këtë vit do të punojmë shumë për të përmbyllur me sukses procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, proces i cili ka filluar tash një vit dhe ngërthen në vete procesin koordinues dhe reformues më gjithëpërfshirës në sektorin e sundimit të ligjit”, ka thënë ministri Tahiri.

/Epoka e re/

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MzhE), Valdrin Lluka, ka deklaruar se…