Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndan 3.65 milionë euro grante

30 gusht 2021 | 15:58

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se ka lansuar tri grante për përkrahje të bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme.

Gjatë një konferencë për medie, ministrja Rozeta Hajdari, ka theksuar se qëllimi i këtyre granteve që kapin shumën prej 3.65 milionë euro është për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e eksporteve. “Për sa i përket granteve, MINT-i ka ndarë grante në vlerë prej 3 milionë e 650 mijë euro për tri grant-skemave. Përmes këtyre kemi për qëllim të përkrahim veprimtarinë e sektorëve që kanë ndikim në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik, duke fuqizuar në këtë rast sektorin privat, përmes ndërmarrjeve mikro dhe të vogla”, ka thënë Hajdari.

Sipas saj, ndërmarrjet prodhuese, përpunuese dhe të eksportit janë fushë-veprimtaritë që do të përkrahen.

“Fushë-veprimtarinë që do të përkrahen janë ato prodhuese, përpunuese dhe të eksportit. Ndërmarrjet në sektorin privat të tekstilit, produkteve të plastikës, ndërmarrjet në sektorin e prodhimit dhe sektorët e tjerë shërbyes”, është shprehur ajo.

Hajdari ka thënë se bizneset “start-up” gjithashtu do të përkrahen. “Ne do të përkrahim edhe bizneset fillestare, ato ‘start-up’, të themeluar në tre muaj apo tre vite”, është shprehur Hajdari, duke shtuar se rritja e punësimit të grave dhe personave me nevoja të veçanta është kriter për të gjitha kategoritë për këto tri grant-skema.

Në fund, Hajdari ka njoftuar se për aplikim duhet të kyçen në platformën “e-Kosova”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga BE-ja që…