Ministrja Bajrami i ofron bashkëpunim SBAShK-ut

05 shkurt 2020 | 14:07

Në ditën e dytë të angazhimeve në detyrën e re, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Hykmete Bajrami e shoqëruar nga këshilltari i lartë, Lulëzim Krasniqi, ka vizituar selinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

Duke shprehur kënaqësinë në emër të gjithë anëtarësisë për këtë vizitë, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, bashkë me nënkryetaren Vjollca Shala dhe menaxherin për Financa e administratë dhe koordinator për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri kanë informuar ministren Bajrami për sfidat dhe angazhimet aktuale, duke shprehur gatishmërinë për angazhime të përbashkëta me MAShT-in në shërbim të arsimit, përmirësimit të kushteve të punës në institucionet arsimit dhe për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim.

Në takimin e parë me ministren Bajrami, përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë kërkuar që të punohet lidhur me çështjen e punëtorëve të arsimit me bachelor, e që janë në sistemin arsimor, në mënyrë që të gjendet zgjidhje e pranuar për ta.

Po ashtu në këtë takim, përfaqësuesit e SBAShK-ut kanë kujtuar se kjo sindikatë gjithmonë është angazhuar që çështjet të zgjidhen me dialog, por kur pala tjetër nuk ka reflektuar, atëherë sipas tyre kanë ndodhur edhe grevat, të cilat nuk kanë qenë dhe nuk janë dëshirë e SBAShK-ut, por veprohet duke respektuar zërin e të punësuarve në arsim.

Më tutje, ata kanë kërkuar që të ketë takime të përbashkëta të MAShT-it, drejtorive komunale të arsimit dhe SBAShK-ut për të debatuar shtruar për të gjithë çështjet në arsim dhe për të bërë angazhime të përbashkëta për tejkalimin e problemeve dhe sfidave.

Ndërsa ministrja e MAShT-it, Hykmete Bajrami, ka thënë se ka mjaft njohuri për punën dhe angazhimet e SBAShK-ut.

Ajo  ka thënë se për shkak të respektit ndaj SBAShK-ut, ka vendosur që në ditën e dytë të angazhimit në detyrën e ministres ta vizitojë këtë sindikatë.

Ministrja Bajrami, ka deklaruar se gjithë çështjet e lidhura me arsimin në Kosovë do të diskutohen bashkërisht. Sipas saj, vetëm bashkërisht dhe me angazhime të sinqerta do të zgjidhen kërkesat e punëtorëve të arsimit, si dhe do të ngritët cilësia në arsim.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, e ka uruar Albin…