Ministrja Haxhiu thotë se nuk po ndërhyn në drejtësi

07 maj 2021 | 14:37

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu,  i ka reaguar Këshillit  Prokurorial të Kosovës (KPK) se ajo po ndërhyn në sistemin e drejtësisë.

Haxhiu ka thënë se akuzat e KPK-së janë të papranueshme.

“Për mua si ministre e Drejtësisë janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi. Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime.  Deklarimet e mia janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore në kuptim të ndarjes së pushteteve dhe me qëllim të adresimit sa më adekuat të problemeve. Asnjëherë nuk do t’i mbyllë sytë kundrejt të njëjtave”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Haxhiut:

Që nga dita e parë kam punuar me përkushtimin më të madh në drejtim të krijimit të kushteve më të mira përmes politikave adekuate për sistemin e drejtësisë.

Sistemi i drejtësisë vazhdon të ketë probleme të natyrave të ndryshme për çka jemi dëshmitarë të gjithë.

Çështja e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive dhe anëtarëve të KPK-së, gjithashtu ka qenë një problem tjetër për çka nuk kanë qenë vetëm shqetësimet tona të cilat i kemi bërë publike, por kanë qenë po ashtu reagimet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kishin përcjellë shqetësimet serioze në këtë drejtim.

Për mua si ministre e Drejtësisë janë të papranueshme akuzat e sistemit prokurorial kinse për ndërhyrje në drejtësi. Përpjekjet për instalimin e transparencës dhe meritokracisë nuk janë ndërhyrje. Ndërhyrje mund t’i duken vetëm atyre që janë të përfshirë në kalkulime.

Deklarimet e mia janë të qëndrueshme dhe në përputhje me kriteret kushtetuese e ligjore në kuptim të ndarjes së pushteteve dhe me qëllim të adresimit sa më adekuat të problemeve. Asnjëherë nuk do t’i mbyllë sytë kundrejt të njëjtave.

Si ministre e Drejtësisë, do të vazhdoj tutje që me përkushtim të adresoj problemet e sistemit të drejtësisë brenda kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, në kuptim të ndërtimit të një sistemi sa më profesional, të pavarur dhe efikas. Vetëm kështu mund të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Këtë e kemi obligim!

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ do të…