Ministrja Hoxha kërkon unitet për projektligjet që janë pjesë e agjendës evropiane

26 korrik 2018 | 10:50

Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë seancës së sotme, kanë në shqyrtim disa projektligje të rëndësishme për qytetarët dhe procesin integrues.

Me këtë rast, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se uniteti në seancën e kaluar që projektligjet të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar, ishte një mesazh i mirë, sepse u dëshmua unitet për interesin nacional.

“Dy prej projektligjeve do të kenë efekt të menjëhershëm. Në vijim të këtij interesi, uroj miratimin e 1) Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes financiare IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe 2) Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe BE-së, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin ‘Evropa për qytetarët’”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka shtruar se projektligji për Marrëveshjen Financiare rregullon zbatimin e programit IPA 2017, pjesa e parë, duke përfshirë 11 projekte të cilat do të ndihmojnë përafrimin me legjislacionin e BE-së, të drejtat e njeriut, efiçiencën e energjisë, ekonominë digjitale, sigurinë ushqimore si dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale.

“Në tërësi, programi konsiston në financimin e 48 milionë euro nga ana e Bashkimit Evropian për Kosovën, ndërsa shuma totale është 49.45 milionë euro, ku përfshihet edhe bashkëfinancimi nga ana jonë në shumën prej 1.45 milionë euro. Programi Evropa për qytetarët, përmban 187 milionë euro fonde që promovojnë qytetarinë aktive evropiane dhe si fokus ka autoritetet lokale, organizatat hulumtuese të politikave, grupet e qytetarëve dhe organizatat e shoqërisë civile. Programi zbatohet nëpërmjet thirrjeve për propozime, ku ftohen organizatat nga vendet e BE-së dhe vendet tjera që kanë qasje në program për të aplikuar”, ka deklaruar ministrja Hoxha.

Ajo ka shtuar se miratimi i këtyre dy projektligjeve, mundëson afrimin e qytetarëve dhe institucioneve menjëherë në programet, duke pasur qasje në dy thirrje të cilat afatin e fundit për aplikim e kanë më 1 shtator të këtij viti si: Binjakëzimi i qyteteve (town-twinning); dhe Rrjeti i qyteteve (network-of-towns), të cilat iu dedikohen projekteve të përgatitura nga autoritetet lokale.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti i…