Misteri në Baltik, dëmtohet një tubacion gazi dhe një kabllo nënujore midis Finlandës dhe Estonisë

10 tetor 2023 | 21:41

Në Baltik ka një mister të ri. Një vit pas sabotimit të Nord Stream.

Një tubacion gazi dhe një kabllo telekomunikacioni nënujor që lidh Finlandën dhe Estoninë u dëmtuan të dielën.

Dhe referuar presidentit finlandez Sauli Niinisto, “ka gjasa të jetë një aktivitet i jashtëm”.

Në një konferencë shtypi të thirrur të martën në lidhje me një “ndryshim shqetësues në situatën e sigurisë në Finlandë” , qeveria foli për një akt të qëllimshëm.

Këtë, duke lënë të kuptohet për mundësinë e sabotimit.

Sipas informacioneve të mbledhura nga tabloidi Iltalehti, dyshimet e autoriteteve dhe ushtrisë së Helsinkit, do të bien mbi Rusinë.

Presidenti Niinisto ka folur për këtë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili garantoi mbështetje në hetimet e Aleancës Atlantike, në të cilën Helsinki ka qenë anëtar që nga prilli dhe Talini që nga viti 2004.

Në funksionim që nga dhjetori i vitit 2019, tubacioni Balticconnector kalon 77 kilometra nën Baltik midis Inkoo, Finlandë dhe Paldiski, Estoni, duke furnizuar gjithashtu Letoninë dhe Lituaninë.

Ai u mbyll të dielën në mëngjes si masë paraprake pas zbulimit të një rrjedhje gazi në Gjirin e Finlandës, ujërat e të cilit prekin edhe Rusinë dhe arrijnë në portin e Shën Petersburgut.

Presioni në tubacion ra me shpejtësi rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe kjo sipas një zyrtari lokal “sugjeron se mund të mos jetë një rrjedhje e vogël”.

Sipas operatorit finlandez Gasgrid ka të ngjarë të duhen muaj për ta riparuar.

“Shkaku ende nuk është identifikuar, hetimi i përbashkët midis Finlandës dhe Estonisë po vazhdon”, ka thënë Presidenti Niinisto.

Policia finlandeze është vënë në punë dhe ende po verifikon përmasat e dëmit, përmasat e të cilit sugjerojnë një veprim të qëllimshëm që kërkon njohuri të specializuara.

“Një akt i tillë nuk mund të kryhet nga një person i zakonshëm”, ka shpjeguar inspektori Timo Kilpelainen.

Sakaq, Kryeministri Petteri Orpo e ka quajtur situatën shqetësuese, por furnizimi finlandez me energji elektrike mbetet i qëndrueshëm dhe dëmtimi i kabllos së telekomunikacionit nuk pati asnjë efekt në lidhjen e vendit.

“Është ende herët për të kuptuar se kush apo çfarë e shkaktoi dëmin”, ka theksuar kryeministri.

Ndërkohë, referuar zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes Finlandeze, asnjë kërcënim ushtarak ndaj vendit nuk është identifikuar.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, teksa po flet për luftën…