MKRS-ja investon 2,6 milionë euro në komunën e Gjilanit

25 korrik 2019 | 11:48

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim kryetarin e komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin.

Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe komunës së Gjilanit si dhe u nënshkruan dy memorandume bashkëpunimi në fushën e sportit, Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjilanit dhe projekti për palestrën sportive në Zhegër të Gjilanit.
Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjilanit është projekt në të cilin MKRS-ja do të investojë mjete financiare në vlerë prej 1 milion e 950 mijë euro. Ky projekt do të implementohet gjatë viteve 2019 deri më 2021.

Ndërkaq, për projektin Palestra sportive në Zhegër të Gjilanit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë rreth 650 mijë euro dhe projekti pritet të realizohet gjatë dy viteve 2019 e 2020.

Ministri Gashi ka vlerësuar se investimet që MKRS-ja përkrah financiarisht në kuadër të avancimit të infrastrukturës fizike po bëhen nëpër tërë Kosovën.

Gashi ka thënë se me nënshkrimin e këtyre memorandume për komunën e Gjilanit, kjo e fundit do të ketë dy objekte të rëndësishme sportive.

“MKRS-ja dhe unë si ministër jemi të fokusuar që në kuadër të prioriteteve të kemi përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive në Republikën e Kosovës dhe po punojmë me përkushtim që kjo gjë të arrihet”, u shpreh mes tjerash ministri Gashi.

Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e falënderoi ministrin Gashi për përkrahjen për komunën që ai udhëheq, si edhe për projektet që u nënshkruan.

Ai e konsideroi se projektet në fjalë janë të mirëseardhura për të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit, e në veçanti ata që merren me sport dhe sportdashësit e kësaj komune.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke luftuar për të arritur objektivat e tyre për inflacionin,…