MMPH-ja ndan 25 mijë euro për rehabilitimin e deponisë në Sharr

27 gusht 2018 | 14:24

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me kryetarin e Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projektit “Modernizimi dhe zgjerimi i deponisë së mbeturinave në Sharr”, i cili ka vlerën prej 25 mijë euro në vitin fiskal 2018 dhe që financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Gjatë ceremonisë, ministri Matoshi ka thënë se MMPH-ja ka një qasje të veçantë për Komunën e Dragashit për shkak të parkut nacional Sharr, andaj sipas tij ky investim ka për qëllim rehabilitimin e deponisë së mbeturinave në Sharr.

“Kam kënaqësi që sot kam nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Komunën së Dragashit, Shaban Shabani. Gjysma e territorit të kësaj komune e përbënë parkun nacional Sharri, andaj kjo na motivon që MMPH-ja të përkrah këtë komunë me projekte të ndryshme. Ky bashkëpunim do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, ka thënë Matoshi.

Ai ka shtuar se marrëveshja për rehabilitimin e deponisë në parkun nacional Sharr po bëhet në prag të fillimit të fushatës tremujore për pastrimin e vendit. “Nënshkrimi i marrëveshjes për rehabilitimin e deponisë së mbeturinave në Sharr po bëhet pak ditë para fillimit të fushatës ‘Ta pastrojmë Kosovën’. Ne ramë dakord që Komuna e Dragashit të jetë e angazhuar në këtë aksion”, ka deklaruar Matoshi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani, ka falënderuar ministrin Matoshi duke vlerësuar kështu projektin “Modernizimi dhe zgjerimi i deponisë së mbeturinave në Sharr”, si të domosdoshëm për komunën që ai drejton. “Ky projekt është i veçantë sepse ne pretendojmë të jemi si komunë turistike meqë e kemi parkun nacional Sharr. Këto investime dhe investimet e tjera që janë në vazhdimësi, besojë fuqishëm që do të bëjnë një komunë pa mbeturina”, ka thënë Shabani.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte zhvillohet ndeshja e fundit e xhiros së tretë në…