Molliqaj: Paketimi i ri i asociacionit është rendi i ditës në takimin e parë Kurti-Vuçiq

10 qershor 2021 | 11:33

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka thënë se paketimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë në rend të ditës në takimin e parë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Molliqaj ka thënë se gjuha e re që do të përdoret në marrëveshjen e vjetër për asociacionin e ka vetëm një funksion, atë të amortizimit të rezistencës në Kosovë.

“Por siç është e pamundur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë brenda projektit të AKS-së, po aq e pamundur është të heshtet kundërshtimi në rast se tentohet të mbivendoset një kornizë e tillë”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Molliqajt:

Pa asnjë pikë të rendit të ditës, sot sapo u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së takimi Kurti – Vuçiq që mbahet më 15 qershor.

Ndër kritikat që bëhej ndaj delegacioneve të kaluara në negociata me Serbinë ishte se shkonin në takim pa laps e pa letër, duke aluduar se janë pa plan dhe pjesë e planit të huaj.

Përderisa do të duhej të ishte i pamundur një takim pa parime, ajo çka duket tinëzisht është fakti se dialogu tashmë është i orientuar. Paketimi i ri i asociacionit që përjetëson mosmarrëveshjen me Serbinë është rendi i ditës në takimin e parë, por që nuk ka si titullohet, meqë është proces i ndërrimeve terminologjike.

Gjuha e re që do të përdoret në marrëveshjen e vjetër për asociacionin e ka vetëm një funksion: amortizimin e rezistencës. Por siç është e pamundur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë brenda projektit të AKS-së, po aq e pamundur është të heshtet kundërshtimi në rast se tentohet të mbivendoset një kornizë e tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi gjysma e bizneseve në Kosovë kanë ndaluar plotësisht aktivitetet…