‘Mori 1 milion euro dhe dy banesa’, Jabllanoviqi i kundërpërgjigjet Kurtit

21 qershor 2023 | 16:18

Politikani serb, Aleksandër Jabllanoviq i është përgjigjur akuzave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për pretendimet se është blerë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri.

Kurti ka thënë të mërkurën se ka dëgjuar që Jabllanoviqi ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd, për t’u tërhequr nga gara për kryetar të Leposaviqit, të cilat janë mbajtur në prill.

Jabllanoviqi ka thënë se për këtë deklaratë të Kurtit do të duhej që ai, ose kryeministri të intervistoheshin në prokurori.

“Në një sistem serioz demokratik, sot për intervistim në prokurori do të ishte z. Albin Kurti apo unë. Meqë jemi larg nga demokracia, unë po i jap kryeministrit 1 banesë dhe 500 mijë euro, por po e lus të më tregojë se ku është banesa tjetër dhe pjesa tjetër e parave”, ka shkruar Jabllanoviqi në “Twitter”.

Kryeministri Kurti, gjatë një adresimi në gjuhen serbe, ka përmendur ato që thotë se i ka dëgjuar për Jabllanoviqin, e të cilat nuk e di nëse janë të vërteta.

“Mendova të paktën që Aleksandër Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai u largua nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Ndoshta nuk është e vërtetë, por gjithsesi duhet të ketë pasur një presion shumë të madh ose një ofertë shumë luksoze, që e detyroi Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë. Përfaqësuesit e Listës Serbe, e edhe Jabllanoviqi, kanë thënë çdo gjë për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranojë si kryetarë të ardhshëm komunash. Tashmë kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një kryetar i ri”, ka thënë Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik…