(MOS) NDRYSHIMI I ALBIN KURTIT

19 shkurt 2020 | 13:43

Ismet RASHITI

Albin Kurti mundet edhe të mos ketë ndryshuar, por gjithsesi ka ndryshuar pozita e tij nga kryetari i VV-së është ngritur në kryeministër të shtetit të Kosovës. Ky ndryshim vjen si obligim nga momenti kur është nominuar si kandidat për këtë post të lartë shtetëror deri te zgjedhja e tij si kryeministër nga Kuvendi i Kosovës. Ky nuk mund të quhet ndryshim politik, por përgjegjësi shtetndërtuese me të cilën e ka ngarkuar vota e lirë dhe demokratike.
Në vend të një programi politik, Albin Kurti sot si përfaqësues shtetëror, ka përpara Kushtetutën e Republikës dhe obligimet e domosdoshme ndërkombëtare!
Gjatë këtyre ditëve njëra ndër temat më të debatueshme dhe njëkohësisht më të pakuptimta në mjetet tona të informimit, padyshim është tema e (mos) ndryshimit të Albin Kurtit.
Në radhë të parë debatet e tilla amatoreske nuk janë debate. Së dyti tema e (mos) ndryshimit të Albin Kurtit, nuk është aspak serioze. Mbi të gjitha mënyra se si flitet për këtë temë është krejt e pakuptimtë, madje e dëmshme për shoqërinë tonë. Kjo për arsye se pothuaj asnjëri nga analistët nuk e njohin problemin real nëse mund të quhet ndryshim apo jo mënyra e sjelljes politike e një politikani në kohë dhe pozita të ndryshme politike dhe shtetërore.
Në fakt një zhurmë e tillë po bëhet për shkak se pjesa më e madhe e “analistëve” nuk e njohin fare filozofinë politike dhe strategjinë e Albin Kurtit. Një pjesë e “analistëve” nisen nga interesa të ngushta apo inate personale të cilat tek masa e gjerë popullore e intelektuale vetëm sa e rrisin autoritetin e z. Kurti.
Që të analizosh mënyrën e sjelljes dhe nivelin politik apo shkencor të një personaliteti, lypset një përgatitje e përafërt intelektuale. Duke folur në mënyrë krejt periferike, jashtë konceptit politik e strategjik dhe në të shumtën e rasteve në mënyrë tendencioze, në fakt këto debate nuk kanë asnjë vlerë. Debatet e tilla përveç një mjegulle të dëmshme për shoqërinë tonë, nuk sjellin asgjë pozitive, madje pa asnjë arsye e rëndojnë skenën politike me gjëra të kota. Kjo mënyrë e debatit dhe ky nivel intelektual i disa analistëve që nuk del përtej thashethemeve në kafenetë e tymosura të Prishtinës.

Këto të ashtuquajtura debate, përveç një zhurme të padurueshme, nuk i sjellin asnjë të mire shoqërisë sonë. Për shikuesit apo lexuesit e vëmendshëm, krijohet përshtypja se disa nga “analistët” për të mbijetuar në skenë, nuk ju shkon për shtati asnjë rezultat i askujt dhe aq më tepër bashkëpunimi dhe unifikimi aq i nevojshëm, i veprimtarive në mes institucioneve më të larta të Kosovës. Në fakt, Albin Kurti mund të mos ketë bërë asnjë ndryshim personal.
Ndryshimi ka ndodhur tek elektorati shqiptar, i cili me votën e tij, e ka nxjerrë Albinin nga një udhëheqës partiak në një udhëheqës shtetëror. Pra, tashmë Albini është i njëjti njeri, madje mund të ketë edhe të njëjtat bindje politike, por si kryeministër ka përgjegjësi shumë më të mëdha dhe të pakrahasueshme me ato që ka pasur si kryetar i një subjekti politik. Albin Kurti si kryeministër programin e VV-së e ka shkrirë në programin e përbashkët shtetëror të aprovuar në Kuvendin e Kosovës si institucioni më i lartë ligjvënës.
Ndryshimi i Albin Kurtit ka filluar me emërimin e tij si kandidat për kryeministër të Kosovës, programin e të cilit me shumicë, e ka mbështetur populli në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.
Që nga ky moment, Albin Kurti në vend të një projekti politik, ka përpara një Kushtetutë shtetërore së cilës duhet përmbajtur dhe respektuar domosdoshmërisht. Nuk është Albini personi që ka ndryshuar, por është ngritja e pozicionit në nivel shtetëror, ku përfaqëson të gjithë qytetarët pa dallim gjinie, partie, komuniteti, ngjyre, feje. Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton kufijtë shtetëror, simbolet dhe kompetencat institucionale të cilat duhet të respektohen domosdoshmërisht.

Pra, Albin Kurti mundet edhe të mos ketë ndryshuar fare, por gjithsesi ka ndryshuar pozicioni i tij, ndaj assesi nuk ka vend të bëhet temë debati (mos) ndryshimi i Albin Kurtit.
Në këto rrethana, nuk mund të quhet ndryshim i Albin Kurtit nëse respekton himnin dhe flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës. Aq më e pakuptimtë është zhurma që është ngritur lidhur me takimin e kryeministrit me presidentin e shtetit, z. Hashim Thaçi. Në fakt ky është një zhvillim i ri pozitiv, mëse i domosdoshëm për një shtet normal që synon Bashkimin Evropian. Evropa nuk e dëshiron një vend ku dominon mosdurimi politik e institucional, ku nuk respektohet rendi shtetëror. Pra bashkëpunimi në mes autoriteteve shtetërore nuk është dëshirë, por është obligim dhe këtë obligim e kryejnë burrështetasit që sillen përtej interesave personale dhe partiake për interesin e përbashkët shtetëror. (Mos) ndryshimi i Albin Kurtit është i domosdoshëm edhe për shkak përgjegjësisë që i ka dhënë populli për ta përfaqësuar shtetin në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht dëshirës apo jo të Albin Kurtit, kryeministri është i detyruar të takohet me burrështetas botëror dhe ta përfaqësoj shtetin tonë ashtu siç duhet dhe në përputhje me rregullat dhe të drejtat ndërkombëtare. Aty mund të marrë edhe obligime të cilave duhet përmbajtur sipas rendit botëror dhe të drejtës ndërkombëtare.
(Mos) ndryshimi i Albin Kurtit për njerëzit normal dhe institucionalistë nuk paraqet asgjë të veçantë. Kjo nuk është as temë për debat, por një farsë inatesh nga individ të ndryshëm të cilët është normale të ekzistojnë në çdo shoqëri, ndaj nuk duhet marrë seriozisht. E rëndësishme është që Qeveria Kurti të përkushtohet aq sa mundet dhe sa ka fuqi në zhvillimin e vendit, të mos korruptohet dhe gjithsesi ta forcoi funksionimin institucional dhe të sigurisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas tragjedisë që ka ndodhur dje në Gjilan, kryetari i…