Mosndëshkimi nxit mohimin e krimit

14 dhjetor 2019 | 12:50

Një shoqëri që nuk e fut në përdorim një lëndë të re mësimore, e cila do të quhej ‘Mos-harrimi i krimeve’, ka rrezik që sërish të jetë objekt respresaljesh. “Përgjegjësia për t’u mbrojtur”, një parim ky i njohur ndërkombëtarisht, duhet zbatuar edhe në mekanizmat e vetëdijesimit shoqëror në Kosovë, sepse sa do që të jetë i zhvilluar solidariteti  dhe humanizmi ndërkombëtar, denoncimi i krimit duhet të ketë burim vendin ku ka ndodhur

Nga Mehmet PRISHTINA

I gjithë narrativi serb për shqiptarët është i ngritur mbi projektimin e gënjeshtrës si material për ndërtimin e një infrastrukture shtetërore kundër akuzave për krime lufte.

Ky narrativ ka ardhur duke zhvilluar në brendi një kulturë mesjetare të mosndëshkimit të krimit, kurse aparati shtetëror serb vazhdon të ushqejë këtë kulturë edhe në ditët e sotme.

Ideologët e gjenocidit serb, siç ishin Jovan Cvijiq, Vaso Çubriloviq, Ivo Andriq, Vladn Gjorgjeviq, Ilija Garashanin, por edhe zbatuesit dhe ekzekutuesit e kësaj ideologjie që filloi me Titon e Rankoviqin e përfundoi me Millosheviqin dhe Aleksandar Vuçiqin, përbëjnë aksiomën gjithëpërfshirëse të doktrinës shtetërore serbe.

Vetëm popujt pa traditë gjenocidale, gjegjësisht pa përvojë në ushtrimin e dhunës shtetërore kundër të tjerëve,  siç janë shqiptarët, ende nuk kanë arritur të ndërtojnë një strategji mbrojtëse kundër këtyre doktrinave.

Në Kosovë po ngritën shumë memoriale kushtuar luftëtarëve dhe dëshmorëve të ndryshëm që ranë në luftën e fundit, mirëpo përveç Trenit të Bllacës, që erdhi si ide e dr. Skender Asanit, drejtor i ITSHKSH-në Shkup për të përkujtuar gjenocidin serb në Kosovë, në muajt mars, prill 1999, askujt tjetër nuk po i kujtohet që të ngrejë një memorial në kujtim të viktimave dhe krimeve që ishin bërë gjatë viteve 1998/99 në kuadër të projekteve famëkeqe serbe për spastrimin etnik të Kosovës, që sipas konventave ndërkombëtare të gjitha këto  mund të kualifikohen pa kurrfarë hezitimi si gjenocid i pastër kundër një populli të tërë.

Çuditërisht, vakumin e mosangazhimit të shoqërisë dhe politikës  kosovare, po mundohet ta kompensojë një OJQ jashtë Kosovës, edhe atë mu në Beograd.

Më 2016 Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, pas shumë hulumtimeve që kishte bërë në terren në zbulimin e vendeve ku ishin groposur trupat e qindra shqiptarëve të pafajshëm, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë, kishte iniciuar idenë për ngritjen e një memoriali, si shenjë e qëndrueshme e respektit ndaj viktimave dhe një kontribut në kujtesën dhe përhapjen e së vërtetës rreth krimeve që nuk duhet të përsëriten.

Në opinionin publik prej kohësh po qarkullon një dosje 88 faqëshe me titull “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë – operacioni i fshehjes së trupave” e publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Në këtë dokument zbulohet se prej vitit 2001 deri sot në territorin e Serbisë janë zbuluar varre masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999. Në Batajnicë afër Beogradit janë zbuluar 744 kufoma të shqiptarëve të Kosovës, në Petrovo Selo të paktën 61 trupa, te liqeni Peruqac një varr masiv me 84 trupa, kurse në varrin masiv Rudnica janë zbuluar të paktën 52 kufoma të tjera.

Sipas fondit, zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe ushtrisë jugosllave kanë qenë të përfshirë në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.

“Dëshmitë flasin se vendimi për fshehjen e provave të krimeve të kryera është marrë më së voni në mars të vitit 1999, dhe në fshehjen e trupave kanë marrë pjesë pjesëtarët e departamentit për siguri publike, të sigurimit shtetëror të ministrisë së Brendshme dhe ushtria jugosllave nëpërmjet reparteve për ‘pastrimin e terrenit’. Përveç tyre në largimin e trupave kanë marrë pjesë edhe civilë e punonjës të ndërmarrjeve publike, makineritë e të cilëve janë përdorur gjatë operacioneve”, thuhet në dokumentin e këtij fondi.

Mirëpo nëse krimet nuk procesohen dhe nuk marrin dënimin e merituar, ato kanë rrezik ose të harrohen, ose të përsëriten sërish. Për këtë arsye Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) në disa raste i ka ftuar institucionet e Serbisë që të sigurojnë drejtësi për viktimat e krimeve të kryera në Kosovë, duke nxjerrë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e këtyre krimeve, sidomos oficerët dhe politikanët e rangut më të lartë.

Sipas të dhënave të FDH-së, në periudhën nga 20 mars deri në 14 qershor të vitit 1999, forcat serbe në Kosovë kanë vrarë 6.872 civilë shqiptarë, kurse Gjykata Penale Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë (ICTY) vërtetoi  se mbi 800.000 civilë shqiptarë u dëbuan, një numër ende i papërcaktuar i personave ishin ekspozuar ndaj torturës dhe abuzimit seksual, kurse u shkatërrua një pjesë e rëndësishme e pronës dhe e objekteve fetare të shqiptarëve të Kosovës.

Gjithashtu edhe Gjykata Penale Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë (ICTY) ka vërtetuar ekzistencën e një plani shtetëror serb, qëllimi i së cilit ka qenë dëbimi i një numri të rëndësishëm të shqiptarëve të Kosovës për të siguruar kontrollin e qëndrueshëm ndaj Kosovës.

Në funksion të dokumentimit të krimeve serbe të kryera në Kosovë, FDH e ka prezantuar në publik një total prej gjashtë Dosje ku janë paraqitur dëshmitë për pjesëmarrjen e forcave serbe në krimet ndaj civilëve shqiptarë gjatë konfliktit në Kosovë .Mirëpo, edhe përkundër këtyre dëshmive deri sot, Prokuroria e Krimeve të Luftës (PKL) nuk ka ngritur asnjë aktakuzë për krimet e përshkruara në këto Dosje.

Edhe pas kaq viteve të zbulimit të varreve masive nëpër lokacion të ndryshme të Serbisë, dhe shpalosjes së të gjitha këtyre dëshmive, megjithatë nuk ka kurrfarë shenjash që do ta tregonin faktin se në territorin e Serbisë janë gjetur qindra kufoma të grave, fëmijëve dhe meshkujve – civilë të vrarë në krimet e shumta masive në Kosovë, për arsye se gjurmët e këtyre vendeve janë fshirë, kurse kryerësit e krimeve po lëvizin lirshëm të pandëshkuar.

Mungojnë edhe procedurat për krimet më masive, të kryera gjatë fushatës së forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në kohën e intervenimit të NATO-s, siç janë krimet në Mejë, Korenicë, Krushë të Madhe dhe të Vogël, Pastasel dhe Celinë, ku u vranë mbi 800 civilë shqiptarë. Nuk kishte asnjë proces gjyqësor për krimet e kryera gjatë vitit 1998, në të cilat janë vrarë mbi 1.000 civilë. Gjithashtu, deri sot në Serbi askush s’ishte përgjegjës as për operacionin e gjerë të fshehjes së trupave të shqiptarëve të Kosovës në varret masive.

Që paradoksi të jetë edhe më i madh çdo tentim për të ngritur në nivel debati publik përgjegjësit e këtyre krimeve, po përcillet me injorim dhe fyerje nga ana e kreut shtetëror serb. Kështu ndodhi edhe me rastin e kujtimit të masakrës së Reçakut, e cila përjetoi një fyerje të skajshme nga ana e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e quajtur atë si gjoja trillim të shqiptarëve.

Qindra dokumente policore dhe ushtarake, kryesisht ato që janë gjetur përmes bazës së të dhënave të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte në ish Jugosllavi, por edhe disa dokumente që i ka gjetur Fondi për të Drejtën Humanitare, përmes gjykatave, deri më tani janë bërë objekt studimesh e analizash, mirëpo, ato fatkeqësisht nuk kanë pasur një epilog gjyqësor, ku kryerësit e krimeve do të merrnin dënimin e merituar, kurse krimi shtetëror serb në Kosovë do të trajtohej në të gjitha dokumentet ndërkombëtare si gjenocid.

Se pse kjo nuk ka ndodhur, arsyet duhet kërkuar në neglizhencën e institucioneve të Kosovës dhe në pasivitetin e shoqërisë kosovare, për të procesuar të gjitha dëshmitë dhe fakte para gjykatave ndërkombëtare. Deri më tani nuk është ngritur kurrfarë iniciative ndërkombëtare për miratimin e një rezolute në Kombet e Bashkuara, e cila do të shpallte juridikisht krimin serb me termin ‘gjenocid’, ashtu siç është vepruar në disa raste të caktuara në vende të ndryshme të botës.

Dhunimet e grave si pjesë e makinerisë luftarake serbe, djegia e rreth 1.100 vendbanime shqiptare, plaçkitja e individëve dhe pronave të shqiptarëve, shkatërrimi i mbi 200 mijë shtëpi, banesa, lokale, biznese, punishte zejtarie, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.  dëbimi i mbi 800 mijë shqiptarë,  vrasja e mbi  15 mijë personave, prej të cilëve mbi 1200 fëmijë , nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5 mijë njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por ende shumë prej tyre vijojnë të kërkohen , por pa ndonjë rezultat konkret.

Një shoqëri që nuk e fut në përdorim një lëndë të re mësimore, e cila do të quhej ‘Mos-harrimi i krimeve’, ka rrezik që sërish të jetë objekt respresaljesh. “Përgjegjësia për t’u mbrojtur”, madje edhe duke inkurajuar viktimat që vendosin vet të flasin për dhunën seksuale e ushtruar ndaj tyre, siç ishte rasti me Vasfije Krasniqi Goodman, një parim ky i njohur ndërkombëtarisht, duhet zbatuar edhe në mekanizmat e vetëdijesimit shoqëror në Kosovë, sepse sa do që të jetë i zhvilluar solidariteti  dhe humanizmi ndërkombëtar, denoncimi i krimit duhet të ketë burim vendin ku ka ndodhur.

Miqtë e Kosovës presin nga ne që të jemi më aktiv në ngritjen e vetëdijes kolektive, pa pritur gjithmonë nga politika, që krimet serbe në të kaluarën të përfshihen në dosje dhe arkiva, sepse vetëm në këtë mënyrë viktimat gjejnë rehati, kurse kriminelët – dënim të merituar. Është e pafalshme që të zhgënjejmë edhe miqtë tanë, sepse ata në fillim ishin shumë aktiv në akademi përkujtimore, ku nderoheshin viktimat dhe të rënët për liri, por tani prezenca e tyre ka filluar të zbehet dhe për këtë jemi të gjithë ne fajtorë, përfshi edhe autorin e këtij komenti, të cilët po presim që punët tona të na i kryejnë të tjerët.

Nëse hebrenjtë, si popull fisnik, përkundër të gjitha atyre vuajtjeve që përjetuan gjatë Luftë së Dytë Botërore, arritën ta bëjnë kujtimin për Holokaustin pjesë e solidaritetit ndërkombëtar, pse kjo të mos merret si model edhe nga ne shqiptarët.

Vetëm popujt që refuzojnë harresën, meritojnë të shijojnë të ardhmen.

Prishtinë, 13 dhjetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri aktual i Premier Ligës është në kërkim të një…