Mosshfrytëzimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) nga diplomacia e Kosovës

09 janar 2020 | 11:28

Shkruajnë: Ma. Genc Mekaj dhe Ma. Valdrin Ferizi

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka filluar punën në vitin 1946 duke zëvendësuar Gjykatën e Përhershme Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila kishte funksionuar nga viti 1922. Është organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, ndërkaq themelimi dhe funksionimi i saj është i bazuar në statutin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Selinë e saj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka në Hagë në shtetin e Holandës, mirëpo nëse shihet e arsyeshme, funksionet dhe mbledhjet gjykata mund t’i ushtrojë edhe tjetërkund.
Anglishtja dhe frëngjishtja janë gjuhët zyrtare të Gjykatës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi më i rëndësishëm juridik i Kombeve të Bashkuara.
GjND-ja detyrë kryesore ka zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që i parashtrojnë shtetet. Pikërisht në këtë gjykatë u shqyrtua mosmarrëveshja në mes të shtetit të Kosovës dhe të shtetit të Serbisë në lidhje me çështjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Procesi i pavarësimit të Kosovës kaloi nëpër një sërë fazash mjaft komplekse dhe me sfida historike dhe politike. Ndërhyrja dhe ndërmjetësimi i bashkësisë ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte një proces mjaft i vështirë dhe kompleks i cili lëvizi trajektoren drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare si dhe të Kosovës hasnin në vështirësi të mëdha pikërisht për çështjen që Serbia nuk e pranonte realitetin e ri që Kosova, të cilën dikur e kishte aneksuar padrejtësisht, tani më po ndahej duke kërkuar shpalljen e pavarësisë së saj, e drejtë kjo e garantuar me ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare si dhe me theks të veçantë të drejtën për vetëvendosje.

Kështu që Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë duke u deklaruar si shtet i pavarur dhe sovran si dhe duke përmbushur të gjitha të drejtat dhe kompetencat ligjore-juridike ndërkombëtare.
Serbia në mënyrë të qartë dhe të hapur gjithmonë dhe në vazhdimësi kundërshton dhe lobon kundër pavarësisë së Kosovës duke mos e pranuar në mënyrë kategorike dhe direkte. Serbia me këmbëngulje vazhdon ta quajë Kosovën pjesë të vetën. Po atë vit që Kosova shpalli pavarësinë, disa muaj më vonë Serbia mori hapa që çështjen e pavarësisë së Kosovës ta paraqiste në GjND (kërkonte mendimin e GJND-së), me qëllim të kontestimit të legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës.

Me nismën e Serbisë, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar rezolutën 63/3. Me rezolutën 63/3 të miratuar më 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, organit kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara, dhënien e një mendimi këshillëdhënës në pyetjen: nëse Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Rezoluta është miratuar me 77 vota për, 6 kundër dhe 74 abstenime.
Mbështetur në nenin 65(2) të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më 30 janar 2009, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i ka dorëzuar Gjykatës një dosje me dokumente që mund të hidhnin dritë në pyetjen e kërkuar.

Serbia nga ana e saj me këmbëngulje dhe me bindje kategorike bënte thirrje dhe ishte e vendosur që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mendimin do ta japë në favor të Serbisë, duke theksuar dhe duke u munduar që të elaborojë që pavarësia e Kosovës është vendimmarrje e padrejtë që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të vitit 1999.

Pas dëgjimit të argumenteve për dhe kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës më 22 korrik të vitit 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundim se “pavarësia e Kosovës e shpallur më 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur ligjet ndërkombëtare, Rezolutën 1244 (1999) dhe as Kornizën Kushtetuese. Përmes këtij konkluzioni bëhet e qartë që Kosova me miratimin e Deklaratës së Pavarësisë nuk shkeli asnjë rregull të drejtës së përgjithshme ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës nuk është ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe se gëzon legjitimitet të plotë”. Gjykata u deklarua me 10 vota për dhe 4 kundër.

Opinioni i GjND-së ishte disfatë për Serbinë i cili i dha fund qëllimit dhe shpresës së Serbisë për ta shfrytëzuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë si pikënisje drejt negociatave në lidhje me statusin e Kosovës.
Qëllimet serbe ishin që përmes marrjes së vendimit të GjND-së të mund të ushtrojnë trysni mbi Kosovën me qëllim të pranimit të negociatave (me kushte të vëna nga Serbia) për statusin e Kosovës, por gjë që nuk doli sipas strategjisë së Beogradit. Serbia ka deklaruar që do ta vazhdojë luftën me mjete ligjore pas këtij vendimi i cili është i rëndë për të.

Pozicioni i Beogradit mbështetet në dy elemente: mosnjohja e pavarësisë së Kosovës, të cilën serbët e quajnë “DNP” (Deklarata e Njëanshme e Pavarësisë) dhe arritja e një kompromisi pa fitues apo humbës absolut. Të dyja qëndrimet janë të lidhura ngushtë me procesin që çoi drejt pavarësisë. “Retorika se kurrë nuk do të pranohet pavarësia e njëanshme e Kosovës, në mediat e Prishtinës dhe ato perëndimore konsiderohet si refuzim për t’u ballafaquar me realitetin”. Me gjithë trysnitë dhe deklarimet nga Beogradi, qasja dhe linja për çështjen e Kosovës mund të thuhet se ka filluar të ndryshohet nga ana e Serbisë, duke marrë parasysh zhvillimet brenda Serbisë dhe ndryshimet e një sërë faktorësh të tjerë. Opinioni publik në Serbi është lodhur nga problemi i Kosovës dhe dëshiron që kjo të përfundojë edhe pse ka gjasa që elementët nacionalistë të dalin fuqishëm kundër çfarëdo njohjeje të shtetit të pavarur.
Serbia vazhdon të mbajë qëndrim të njëjtë në lidhje me pavarësinë e Kosovës edhe pas opinionit të GjND-së i cili e bëri të qartë legjitimitetin e pavarësisë të Republikës së Kosovës. Edhe pse tash e sa vite pas këtij opinioni dhe një sërë lëvizjesh dhe taktikash të bëra në rrafshin ndërkombëtar dhe reciprok në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit vazhdon me këmbëngulje dhe me strategji të vazhdueshme të lobojë kundër pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

Duke u bazuar në retrospektivën dhe atë që u tha më lart, kryesisht në lidhje me tentimet, lobimet dhe punën e Serbisë në vazhdimësi kundër Republikës së Kosovës, atëherë mund të pyesim se sa Republika e Kosovës në përgjithësi dhe diplomacia e Kosovës në veçanti kanë bërë dhe sa e kanë përdorur opinionin e GjND-së në favorin e shtetit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar me qëllim të promovimit dhe trumbetimit të së drejtës së Kosovës në favorin e saj dhe për t’u njohur nga sa më shumë shtete të tjera? Në përgjigjen e pyetjes së parashtruar më lart, kokulur duhet të pranojmë dhe themi se shteti i Kosovës në krye me diplomacinë e tij nuk e shfrytëzuan këtë opinion aq sa duhet dhe kjo bën një të metë të madhe dhe vështirë të riparueshme për Republikën e Kosovës.
Pas shpalljes së vendimit të GjND-së ministri i Jashtëm i Kosovës në atë kohë, Skënder Hyseni, përmes një prononcimi publik tha se opinioni ishte i qartë dhe nuk lë vend për dyshim, gjithashtu u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë tani pasi që GjND-ja tha fjalën e saj.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka aprovuar mendimin e GjND-së në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe ka bërë thirrjen që Kosova dhe Serbia të angazhohen për zgjidhjen e problemit mes tyre duke u drejtuar drejt procesit integrues dhe të mbyllet mundësia që shtetësia e Republikës së Kosovës të diskutohet me këdo.
Parlamenti Evropian (PE) u ka bërë thirrje vendeve të BE-së të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës ta njohin sa më parë.

Serbia u mundua dhe synoi në të gjitha mënyrat për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës por, nuk pati sukses, si dhe me vendimin e GjND-së Serbia i dha edhe një “vulë” fuqizuese pavarësisë së Kosovës e cila largoi çdo dyshim për këdo që dyshon në legjitimitetin e pavarësisë.
Pas vendimit të GjND-së pritej që të kishte një valë të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, mirëpo nuk pati rezultate aq të mëdha siç pritej. Edhe pse nuk pati njohje për shtetin e Kosovës pas vendimit të GjND-se, ashtu siç pritej, të paktën vendet që nuk e njohin Kosovën nuk mund të gjenin arsye për legjitimitetin e pavarësisë siç bënin para vendimit të GjND-së për pavarësinë e Kosovës. Dhe të gjitha këto shteti i Kosovës dhe diplomacia e Kosovës nuk i shfrytëzuan në maksimum dhe nuk i vlerësuan në vlerat e tyre reale, prandaj edhe pas shumë viteve numri i njohjeve për shtetin e Kosovës mungon dhe është sfidë e vazhdueshme dhe lodhëse në të gjitha drejtimet për Republikën e Kosovës.

Ministria e Jashtme e Kosovës punon në vazhdimësi duke vepruar përmes strategjive dhe mundësive të caktuara me qëllim të sjelljes të sa më shumë njohjeve për shtetin e Kosovës por që shpeshherë ka moskoordinime dhe përkrahje brendainstitucionale, si dhe ngecje të bashkëpunimeve adekuate në mes relacioneve të shërbimeve të saj, jashtë vendit dhe vete MPJ-së në lidhje me këtë drejtim. Republika e Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi lobon për njohjen e Kosovës nga sa më shumë vende të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, por kjo e fundit nuk e shpërfaqë dhe argumenton në mënyrën e duhur opinionin e GjND-së përballë atyre shteteve të cilat hezitojnë që ta njohin Republikën e Kosovës si shtet.

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është menduar të ketë ndikim në sjelljen e njohjeve ndërkombëtare për Republikën e Kosovës si dhe të sjellë mundësi anëtarësimi në OKB e organizma të tjerë rajonalë, ndërkombëtarë, globalë, mirëpo nuk dha rezultate ashtu siç u pritën.
Kështu që, pas shumë vitesh të opinionit të GjND-së, Republika e Kosovës ka vazhduar që të qëndrojë në stadin e vjetër në lidhje me shfrytëzimin e kësaj poente në rrafshin ndërkombëtar përballë atyre shteteve të cilat hezitojnë dhe nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.

Shteti i Serbisë në vazhdimësi dhe pa reshtur po punon në disfavorin e Republikës së Kosovës në të gjitha drejtimet dhe aspektet. Kështu që Republika e Kosovës duhet të përballet njëkohësisht edhe me këtë ofensivë të egër të Serbisë kundër Republikës së Kosovës si dhe duhet të formulojë dhe të implementojë strategji dhe taktika fitimprurëse për interesin dhe imazhin e Republikës së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar si dhe të punojë në veçanti për sjelljen e njohjeve të reja.

Opinioni i GjND-së duhet të shfrytëzohet në vazhdimësi nga Republika e Kosovës, pa marrë parasysh se sa vite kanë kaluar nga ky opinion, ai gjithmonë ka vlerë të shpërfaqet, kujtohet dhe trumbetohet para atyre shteteve të cilat hezitojnë apo ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, si dhe për këtë çështje është e obliguar të punohet në vazhdimësi nga Republika e Kosovës dhe institucionet e saj, sidomos me theks nga diplomacia e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruajnë: Ma. Genc Mekaj dhe Ma. Valdrin Ferizi Gjykata Ndërkombëtare…