Muja: Kosova ende nuk ka klimë të favorshme për investime

16 dhjetor 2019 | 16:10

Drejtori i “Albania Minerals”, Sahit Muja, ka shprehur interesim për të investuar në Kosovë, por thotë se duhet të përmirësohet edhe më tutje klima e biznesit, çmimi i energjisë, i derivateve dhe kamatave të bankave. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka folur edhe për investimet konkrete në “Trepçë. “Ne jemi shumë të interesuar të investojmë dhe të marrim pjesë në tenderët publikë. Kemi institucione financiare që na kanë garantuar dy miliardë dollarë investim. ‘Trepça’ urgjentisht duhet të hyjë në punë, sepse është thesar i Evropës”, ka thënë Muja

Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ

Drejtori i “Albania Minerals”, Sahit Muja, ka thënë se në të gjitha bizneset që ai menaxhon ka të punësuar 1 200 punëtorë dhe se janë të fokusuar në fushën e mineraleve, teknologjisë së metaleve, baterive, si dhe energjisë së gjelbër.  Sipas tij, Kosova ende nuk ofron klimë të favorshme për të investuar. “Klima e biznesit në Kosovë është e komplikuar, ka gjëra të mira që ofrohen, si taksat e vogla, fuqia punëtore dinamike dhe kostoja e lirë. Por, problemi madhor është korrupsioni. Po ashtu, çmimi i energjisë dhe i derivateve është shumë i lartë, kurse infrastruktura për të dalë me trena në dete nuk funksionon. Drejtësia në Kosovë nuk është në nivelet perëndimore. Kosovës i mungojnë shumë shkollat profesionale. Sistemi arsimor është shumë i dobët. Sistemi bankar në Kosovë është shumë i padrejtë, zhvatës, me kredi me kosto të larta, ndërkaq transporti ajror është nga më të shtrenjtit në botë”, ka thënë Muja në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”. Ai ka theksuar se Kosova është vend shumë i pasur me një larmi të gjerë mineralesh e metalesh të ndryshme. Sipas Mujës, në këtë lëmë Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe duhet të hapet për investimet e brendeve nacionale.

“Epoka e re”: Z. Muja, na tregoni fillimisht rreth afarizmit tuaj.

Muja: Ka rreth 25 vjet që merrem me biznes në disa fusha. Në Turqi jam marrë me biznesin e metaleve të çmuara, ari, argjendi dhe platini. Në Amerikë jam marrë me ndërtimtari, rikonstruksion, blerje dhe shitje të pasurive të patundshme, restorante, me minerale dhe metale. Momentalisht jemi më shumë të fokusuar në industrinë minerale dhe në atë të energjisë se gjelbër. Si ‘Albanian Minerals’ ushtrojmë aktivitet në mbi 50 shtete, ku bëjmë tregti dhe nxjerrje mineralesh. Në Shqipëri ka 10 vjet që investojmë shumë në industrinë minerale. Kemi arritur ta bëjmë minierën e kromit në Zogaj – Tropojë, më të madhen në Evropë. Kjo minierë ka një perspektivë të jashtëzakonshme për qindra vjet që vijnë. Në Pac të Tropojës këtë vit kemi prodhuar kromin më të mirë në botë. Në Lugun e Zi të Tropojës tashmë ka filluar prodhimi i magnezit dhe olivinit. Kjo minierë ka rezervën më të madhe në botë me cilësinë më të mirë.

“Epoka e re”: Sa punëtorë keni dhe ku janë të fokusuara investimet e juaja?

Muja: Në të gjitha bizneset kemi 1 200 punëtorë. Ne jemi të fokusuar në fushën e mineraleve, teknologjisë së metaleve, baterive, energjisë së gjelbër, teknologjisë nano dhe asaj robotike. Gjithashtu, vazhdojmë të investojmë në pasuritë e patundshme.

“Epoka e re”: Çfarë opinioni keni për klimën e biznesit në Kosovë?

Muja: Klima e biznesit në Kosovë është e komplikuar, ka gjëra të mira që ofrohen, si taksat e vogla, fuqia punëtore dinamike dhe kostoja e lirë. Por, problemi madhor është korrupsioni. Ndërkaq çmimi i energjisë dhe i derivateve është shumë i lartë, kurse infrastruktura për të dalë me trena në dete nuk funksionon. Drejtësia në Kosovë nuk është në nivelet perëndimore. Kosovës i mungojnë shumë shkollat profesionale. Sistemi arsimor është shumë i dobët. Sistemi bankar në Kosovë është shumë i padrejtë, zhvatës, me kredi me kosto të lartë. Transporti ajror është nga me të shtrenjtit në botë. Ndotja në Kosovë është në nivelet vdekjeprurëse. Pak i vihet rëndësi mjedisit, priten malet dhe ka lumenj të ndotur me mbeturina. Kuptohet uji i ndotur do të sjellë shumë probleme. Lumenjtë e Kosovës janë kthyer në gërmadha ku merret zalli pa kriter. Problemi më i madh është që rinia do që të largohet. Dëshira ime është t’i them fjalët më të mira për Kosovën, por ky është realiteti i sotëm.

 “Epoka e re”: Meqenëse në Kosovë kemi pasuri minerare dhe resurse nëntokësore, keni shprehur interesim për të investuar?

Muja: Kosova është vend shumë i pasur, me një larmi të gjerë mineralesh e metalesh të ndryshme. Kosova ka minerale industriale të shumëllojshme. Vlen të përmendën benttonitet, magnezitet, kalitet dhe clay. Më pas keni minerale të shumta si alumini ose boksitet, kromi, nikeli dhe bakri. Kosova ka mbi 50 miliardë tonë linjit, një ndër rezervat më të mëdha në botë. Xeheroret e “Trepçës” janë të klasës botërore në sasi dhe cilësi, pra zinku, plumbi, ari dhe argjendi. Kosova ka edhe minerale të rralla dhe një larmi të madhe të gurëve dekorativë. Ka vite që kemi pritur të investojmë në “Trepçë”. Kemi studiuar me shumë shkencëtarë e profesionistë. Kam blerë studimet dhe punën e çdo informacioni të ish-Jugosllavisë. “Trepça” është thesari i Evropës, por është në duart e kriminelëve ekonomikë të Kosovës. Në kohën e Jugosllavisë, sipas dokumenteve që kam, në vit qenë prodhuar katër milionë tonë, shkriheshin e bëheshin shumë produkte. Në “Trepçë” punonin afërsisht 25 000 punëtorë me paga të fuqisë blerës sa janë në Gjermani. Pra, ishte një gjigant ekonomik që gjeneronte mbi 10 miliardë euro me paratë e sotme. Si ka mundësi që ky thesar i pashoq nuk funksionon? Ku është shteti? Ku është Prokuroria e Kosovës që nuk bën hetime? Ku është populli i Kosovës? Pse flenë?

 “Epoka e re”: Meqenëse tani është shoqëri aksionare Qeveria e Kosovës, e cila ka 80 për qind të aksioneve, cila është mënyra më e duhur për ringjalljen e këtij gjiganti?

Muja: Me “Trepçën” është abuzuar më shumë nga shqipfolësit, të paktën pushtuesit serbë punonin me pagat më të larta të rajonit. Personalisht mendoj se shteti i Kosovës nuk ka ekspertë në qeveri të cilët kanë njohuri të duhura për ringjallje. Po, ju them se nuk ka vullnet, nuk ka vizon dhe nuk ka unitet për punët e mëdha që duhet të bëhen, në këtë rast edhe për ringjalljen e “Trepçës”. Ndarja e hiseve pa asnjë meritë ishte e gabuar. Kjo pasuri është kombëtare dhe duhet të ringjallet. Këtu janë dy rrugë, njëra është deklarimi i falimentimit dhe marrja 100 për qind e këtij aseti kombëtar nga shteti, pra falimentimi dhe pasi të bëhet kjo duhet të ndodhë një tender i hapur, i cili duhet të jetë transparent ndërkombëtare. Të caktohen kushtet e tenderit minimum të kërkohet 2 miliardë euro investim, 4 milionë tonë prodhim vjetor dhe 10 000 vende pune. Me këtë investim bëhen fabrika të reja, linja prodhimi për produkte, investime në miniera, teknologji dhe investohet në shumë mekanizma të tjerë. Shteti cakton rentën minerale. Nga studimi ynë mbi 90 për qind e parave mbetën në Kosovë. Miniera nuk shitet, por jepet në koncesion për të punuar. Rruga e dytë është që ta mbajë shteti në pronësi dhe të sjellë menaxherë të zot që kanë njohuri në industrinë globale. Pra, duhet të investosh para në buxhetin e shtetit, të punësosh specialistë dhe jo njerëz partiakë. Unë kam shprehur vullnetin ta ndihmojë qeverinë e ardhshme si ekspert i kësaj fushe tash e 25 vjet. Ne jemi shumë të interesuar të investojmë dhe të marrim pjesë në tenderët publikë. Kemi institucione financiare që na kanë garantuar 2 miliardë dollarë investim. “Trepça” urgjentisht duhet të hyjë në punë sepse është thesar i Evropës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka thënë se liberalizimi pritët…