Haradinaj: Liberalizimi në pranverë, vonesës po i kontribuojnë LV-ja dhe LDK-ja

16 dhjetor 2019 | 16:01

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka thënë se liberalizimi pritët të ndodhë në pranverë dhe jo si është paralajmëruar për këtë vit.

Haradinaj ka bërë me dije u ka dërguar shkresë të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian (BE) që janë vendimmarrëse në këtë proces, ku ka kërkuar heqjen e vizave.

Sipas tij vonesës i ka kontribuar zvarritja e ndërtimit të institucioneve nga Vetëvendosje dhe LDK-ja.

“Jemi më skeptik tash. Është zor me ndodh sepse po shihet që jemi afër Krishtlindjeve. Jam interesuar për kalendarin e Këshillit të Evropës dhe besoj që gjasat e ardhshme i kemi në fund të shkurtit, fillim të marsit, që me hy në rend dite. Unë kam vazhduar komunikimin me palët dhe ju kam bërë shkresa të gjitha shteteve vendimmarrëse të BE-së për këtë temë që është një padrejtësi. Mund të ketë ndikuar në shtyrje pak edhe vonesa në formim të institucioneve, që disi po na zbehin fuqinë tonë, pasi që kemi mbajt zgjedhje por nuk po e japim lajmin e duhur për institucionet e reja. Dhe besoj që kjo na ka krijuar problem”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për “Ekonomia Online”.

Haradinaj ka thënë se qeveria ka kryer të gjitha obligimet dhe se vonesat në heqjen e viave janë duke u bërë pa ndonjë arsye.

“Nuk do të shkon në pakufi. E di që njerëzit po kërkojnë, por ne si qeveri e kemi bërë punën tonë. Ne i kemi fituar vizat, pro ne s’po mund të vendosim për evropianët. Ata po mendojnë se mund të na vonojnë dhe po na vonojnë. Por ne nuk kemi faj. Nuk mund të thotë as Gjermania, Franca e Holanda se Qeveria e Kosovës po i vonon vizat. Ne realisht gatitur po i rrimë, por ata janë më të ngadalshëm. Nuk na kanë thënë jo, për këtë e falënderoj Gjermaninë dhe kancelaren Merkel si dhe ministrin e Jashtëm për këtë temë. Pres që në pranverë të kryhet. Është e padrejtë që është vonuar kaq shumë”, ka thënë Haradinaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent…