‘Mundo Deportivo’ i jep shpresë Kosovës: Mund ta fitojnë ndeshjen

13 shtator 2023 | 16:00

Gazeta prestigjioze spanjolle “Mundo Deportivo” ka bërë të ditur se Kosova ka mundësi ta fitojë ndeshjen në tavolinë ndaj Rumanisë pas asaj që ndodhi mbrëmë në Bukuresht.

Ndeshja u ndërpre në pjesën e parë për 50 minuta, ku të dyja ekipet u larguan nga fusha pas shpalosjes së mesazhit: “Kosova është Serbi” nga huliganët rumunë.

Sipas së përditshmes spanjolle, Rumania mund të gjobitet dhe të dënohet me dy ndeshje pa praninë e shikuesve. Sipas kësaj gazete, Rumania ka gjasa të humbë ndeshjen me rezultatin zyrtar 3-0, bazuar në nenin 14 të Kodit Disiplinor të UEFA-s.

“Nëse jo këtë të mërkurë, atëherë në ditët në vijim UEFA do të hapë një hetim të jashtëzakonshëm për incidentet që ndodhën mbrëmë në ndeshjen Rumani-Kosovë në Bukuresht”, ka shkruar gazeta spanjolle duke paralajmëruar sanksione të rënda për Rumaninë.

Gazeta ka cituar nenin 11 të Kodit Disiplinor të UEFA-s, i cili thotë se “federatat kombëtare janë përgjegjëse për ndërprerjen dhe braktisjen e fushës”.

Ndërkohë, neni 14 qartëson aktet raciste, ku thotë se “nëse një ose më shumë anëtarë të një federate fyen ose sulmojnë për arsye racore, fetare”, ata janë përgjegjës për mbylljen e pjesshme të stadiumit të tyre, përveç një gjobe. Për më tepër, neni 16 për rendin dhe sigurinë e UEFA-s, e bën përgjegjëse federatën organizatore për sjelljen e tifozëve të saj. Ndër të tjera, për përdorimin e “gjesteve, fjalëve apo çdo metode tjetër për të përcjellë një mesazh provokues” dhe veçanërisht atyre me nuancë politike, ideologjike apo fetare”, shkruan gazeta spanjolle duke lënë të hapur mundësinë që ndeshja të regjistrohet me rezultatin zyrtar në favor të Kosovës.

Sa i përket 90 minutave, Rumania mposhti Kosovën 2-0 dhe tani “Dardanët” pothuajse s’kanë gjasa për kualifikim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nora Lusnjani shpall te pavlefshme deftesat e vitit 1,2,3,4 dhe…