Mungon ministri Murati, përplasen pozita dhe opozita në komisionin parlamentar

04 tetor 2022 | 12:03

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati nuk i është përgjigjur ftesës së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për shqyrtimin e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se përkundër faktit se që 10 ditë më parë ministri Murati ka konfirmuar pjesëmarrjen, sot nuk është prezent.

“Asnjë njoftim nuk ka pasur nga stafi i Ministrisë së Financave. Sot një njoftim e kemi parë në media se ministri Murati është në Shqipëri përkatësisht në portin e Durrësit gjatë ditës së sotme”, ka thënë ajo.

Deputetja Bajrami dyshon se mosprezenca e Muratit mund të jetë një skenar.

Pas kësaj pati një përplasje në mes të deputetëve të opozitës dhe pushtetit.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se është e pakuptimtë që të shqyrtohet raporti pa prezencën e ministrit Murati.

Në këtë komision, deputeti Beqa ka ngritur çështjen se në atë raport ka të gjetura për t’u dërguar në prokurori.

Deputeti Beqa ka përmendur edhe ndaljen e pagave për grevistët.

Ndërsa deputetja e Vetëvendosjes, Mirlinda Sadiku, ka arsyetuar mungesën e Muratit dhe i ka quajtur paragjykuese deklaratën e kryetares Hykmete Bajrami.

Edhe pse mbledhjen e komisionit e ka mbyllur kryetarja Bajrami, vazhdimin e mbledhjes e ka vazhduar nënkryetarja Arta Bajraliu.

Ani se deputeti nga Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka kërkuar nga nënkryetarja ta zë vendin e kryetares Bajrami, ai ka thënë se mungesa e ministrit Murati është e paarsyeshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti shqiptar Kristian Asllani, do të luajë kundër Barcelonës. Kjo…