Munishi: Në sezonin e ri titulli do të varet nga Ballkani

14 gusht 2020 | 10:58

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, në një intervistë për Suhareka Express ka folur rreth afatit kalimtar dhe edicionit të ri futbollistik, ku portokallezinjtë do të jenë pretendentë për titull.

Çfarë atmosfere po mbizotëron te KF Ballkani?
Munishi: Atmosfera është fantastike me ekipin. Mbizotëron atmosferë e punës, mbizotëron entuziazëm shumë i mirë dhe vullnet shumë i madh nga ana e stafit, lojtarëve, presidentit e të gjithëve.

 A do të ketë transferime të reja?
Munishi: Do të ketë transferime në çdo repart ku ne do të shohim e do të sjellim futbollistë cilësorë, është për qëllim që të rritet konkurrenca në klub, nëse e shohim të arsyeshme deri në fund të afatit kalimtar do të ketë transferime me futbollistë shumë cilësorë.

Cilat janë pritjet tuaja për edicionin e ardhshëm?
Munishi: Pritjet e tona për edicionin e ardhshëm do të jenë maksimale.

Kur pritet që Ministria e Shëndetësisë t’ju lejojë që t’i filloni stërvitjet?
Munishi: Nuk e di, por cili do që të jetë vendimi ne do ta respektojmë atë edhe normalisht që presim sa më shpejt që Ministria të vendosë që t’i fillojmë stërvitjet.

 Çka nëse Ministria e Shëndetësisë vendos që mos t’i filloni stërvitjet në këtë kohë, a do t’ju penalizojë ky vendim?
Munishi: Nëse Ministria vendos që të mos i fillojmë stërvitjet normalisht që do të na penalizojë shumë.

 A i ka Ballkani problem financat?
Munishi: Ballkani nuk i ka problem fondet edhe mund të thëmë që buxheti është shumë më i madh se në vitin e kaluar.

 Kur do të kthehet Arbër Hoxha?
Munishi: Arbër Hoxha është duke u rikuperuar shumë mirë, normalisht që ne me padurim e presim rikthimin e tij, mirëpo Arbëri do të na tregojë vetë me punën e tij kur do të jetë i gatshëm. Ne e mirëpresim rikthimin e Arbërit sepse me të vërtetë ka qenë lojtar shumë i rëndësishëm për ne, ndër lojtarët kryesor dhe besoj se ka qenë ndër lojtarët më të mirë në Kosovë.

 Cilat ekipe i shihni në garë për t’u shpallur kampion në edicionin e ardhshëm?
Munishi: I gjithë koncentrimi është te skuadra jonë, te Ballkani, skuadrat e tjera absolutisht nuk më interesojnë. Gjithçka do të varet prej neve se kush do të shpallet kampion. Nuk do të varet prej skuadrave të tjera.

 A pritni rivalitet më të madh duke pasur parasysh që në edicionin e ardhshëm Superliga do të paraqitet me 10 skuadra?
Munishi: Rivaliteti me dhjetë skuadra do të jetë i madh dhe normalisht që me këtë rivalitet prej dhjetë skuadrave, ne i kemi përparësitë e tona duke marrë parasysh sezonin e kaluar qe ka pasur më pak rivalitet. Çdo rivalitet shtesë për skuadrën e Ballkanit është i mirëseardhur.

Çka u premton Munishi tifozëve të Ballkanit për edicionin e ardhshëm?
Munishi: Edicionin e ardhshëm normalisht që jo vetëm unë, por që prej presidentit, stafit të futbollistëve dhe të gjithë ne që jemi të angazhuar në klub, premtojmë trofe.

Më 12 shtator ‘Xhebrailat’ festojnë 28-vjetorin e themelimit si tifogrup. Keni ndonjë urim për ta?
Munishi: ‘Xhebrailave” ua uroj përzemërsisht përvjetorin e 28-të! U dëshiroj shumë suksese si tifogrup, sepse janë pasuri në tifozllëkun shqiptar. Shumë herë kanë dhënë mesazhe. Normalisht që ne si klub kemi pasur përkrahje të jashtëzakonshme prej tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka njoftuar se…