Murati: Mbi 10 milionë euro janë investuar në Bonot e Diasporës

19 gusht 2021 | 11:21

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se 10.43 milionë euro janë investuar në Bono të Diasporës.

Në profilin e vet në “Facebook”, Murati ka treguar se mjetet nga këto letra me vlerë do të përdoren për t’i mbështetur prodhuesit vendorë në kuadër të Masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. “Ky emetim u përmbyll me sukses, duke arritur shumën totale mbi 10 milionë euro në emetimin e parë. Mjetet nga Bonot e Diasporës ne do t’i përdorim për t’i mbështetur prodhuesit vendorë në kuadër të Masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe që tani do ta përcjell propozim-vendimin për mbledhjen e radhës të qeverisë”, ka shkruar Murati.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe bankat komerciale partnere për lëshimin e bonove të Thesarit për diasporën.

Shuma totale e paraparë për këto bono është 20 milionë euro, me mundësi rritjeje deri në 50 për qind, nëse do të ketë kërkesa.

Për ata që blejnë bono të Thesarit me kohëzgjatje trevjeçare, interesin që do ta marrin do të jetë 1.2 për qind, kurse për paratë e investuara për pesë vjet, interesi do të jetë 2.2 për qind.

Kuponi i parë i interesit do të paguhet në muajin shkurt, kurse i dyti në gusht dhe kështu do të vazhdojë pagesa çdo gjashtë muaj, deri në përfundimin e marrëveshjes. Krejt në fund, kur përfundon koha e maturimit, personi që i ka lëshuar kredi shtetit, i merr të gjitha paratë e investuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti gjerman Nico Rosberg është i vetmi që ka mposhtur…