Murati: Ndryshime të Kushtetutës – po, por në cilin drejtim është çështja!

16 tetor 2020 | 15:01

Edhe lideri i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka reaguar ndaj deklaratave të  dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në cilat drejtime mund të ndryshohet Kushtetuat e Kosovës, raporton “Epoka e re”.

Sipas tij, Kushtetuta mund të ndryshohet duke i hequr privilegjet për komunitetet pakicë, përkatësisht duke e ndryshuar nenin 65.2 i cili u mundëson të drejtën e vetos në ndryshimet kushtetuese.

Ai ka vlerësuar se ky ndryshim duhet të pasohet me ndryshimin e nenit 1.3 që e ndalon bashkimin e Kosovës me pjesë të tjera shqiptare.

“Këto ndryshime mund të ndodhin vetëm si rezultat i një marrëveshjeje të re ndërkombëtare me Serbinë dhe nën garancinë e SHBA-ve dhe BE-së e që do të përfshinte ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Murati.

Postimi i plotë i Muratit:

Ndryshime të kushtetutës – po, por në cilin drejtim është çështja!

Lajçaku paska thënë në Beograd se Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshojë për të akomoduar një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Është e vërtetë se kushtetuta duhet të ndryshojë. Por janë disa drejtime në të cilat ajo mund të ndryshohet.

  1. Kushtetuta mund të ndryshohet duke i hequr privilegjet për komunitetet pakicë, përkatësisht duke e ndryshuar nenin 65.2 i cili u mundëson të drejtën e vetos në ndryshimet kushtetuese. Ky ndryshim duhet të pasohet me ndryshimin e nenit 1.3 që e ndalon bashkimin e Kosovës me pjesë të tjera shqiptare. Këto ndryshime mund të ndodhin vetëm si rezultat i një marrëveshjeje të re ndërkombëtare me Serbinë dhe nën garancinë e SHBA-ve dhe BE-së e që do të përfshinte ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë
  2. Kushtetuta mund të ndryshohet edhe në mënyrë që të akomodojë një asociacion me përgjegjësi ekzekutive, e që në realitet do të ishte një autonomi politiko-territoriale. Këto ndryshime do të mund të ishin pjesë e një marrëveshjeje për normalizim e që sipas të gjitha gjasave nuk përfshin edhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë e rrjedhimisht do të nënkuptonte edhe vazhdim i bllokimit të Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Ndryshimet e para do ta bënin Kosovën një shtet funksional e tërësisht sovran me hapje të mundësive për zhvillim, përparim, konsolidim të sundimit të ligjit e luftë kundër korrupsionit. Por do të hapte edhe mundësinë e bashkimit me Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet e dyta do ta rrisnin jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe do ta rrisnin ndikimin e Serbisë në të. Nga ato që tha Lajçaku BE dhe Kosova janë nisur në rrugën e dytë. Por aq e dëmshme është ajo për Kosovën sa dështimi i këtij projekti do të na kthej në rrugën e parë. Frika është se duke u vonuar në rrugën e parë, e duke u koncentruar tek asociacioni, do të kemi humbje të cilat nuk do t’i kishim nëse me kohë do ta ndiqnim rrugën e ripërcaktimit të kufijve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), në bashkëpunim me Divizionin për…