Murati thotë se Rusia ka një terren të mirë për destabilizim në Ballkan

28 shkurt 2024 | 21:50

Samiti i Tiranës për Ukrainën e solli presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në Shqipëri, prej ku ai paralajmëroi për rrezikun rus që po i kanoset Ballkanit Perëndimor. Se gjasat janë reale për një rrezik të tillë po e pohon edhe kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.

Murati ka deklaruar se ka një kontekst real të situatës në Ballkanin Perëndimor e cila mund të shfrytëzohet nga Rusia në të ardhmen, por edhe nga Kina për të trazuar rajonin tonë.

Më tej, ai ka vlerësuar se ndër pikat ku ekziston një rrezik për trazim është edhe veriu i Kosovës.

“Këto mesazhe mund të jenë dramatike por në anën tjetër ka një kontekst real të situatës në Ballkanin Perëndimor e cila mund të shfrytëzohet nga Rusia në të ardhmen edhe nga Kina për të trazuar këtë rajonin tonë. E disa janë ato piketa që është Bosnja Hercegovina një shtet shumë i brishtë me probleme të brendshme të cilës nuk i dihet se si do t’i vihet fundi zgjidhjes së problemeve atje. Me një Mal të Zi që ndonëse në NATO ka një mundësi të destabilitetit të brendshëm. Me veriun e Kosovë si cili çdo herë mund të jetë i trazuar dhe me një Kosovë që mund të trazohet për shkak të raporteve me Serbinë. Por edhe me Maqedoni e cila në rrethana të caktuara mund të destabilizohet”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.

Për Muratin, në terrenin e Ballkanit ka disa “pika vlimi” të cilat mund të ndizen nga Serbia.

“Nëse i lejojmë këto vatra të krizës, ka një terren, në tersi nëse e shohim rajonin realisht ka pika të vlimit të cilat mund të shfrytëzohen. Ai që mund t’i ndez këto pika vlimi është Serbia. Ka një kontekst real problematik”, ka shtuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar pas samitit Ukrainë-Evropë…