Murati tregon pse nuk janë shpërndarë 90 milionë eurot e zotuara për energjinë

22 korrik 2022 | 15:43

Intervistimi i ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka mbetur në gjysmë në Komisionin Hetimor për krizën energjetike. Mbledhja  e këtij komisioni është ndërprerë në mungesë të kuorumit pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë lëshuar sallën, si pasojë e një përplasjeje në mes të shefes së grupit parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila dhe deputetit të PDK-së, Ferat Shala.

Gjatë intervistimit për sa ka zgjatur, ministri Murati e ka konsideruar të domosdoshme ndarjen e mjeteve për subvencionim të importit të energjisë në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Ai ka thënë se 20 milionëshi i ndarë për KEK-un ka qenë i ligjshëm dhe i nevojshëm, pas rënies së bllokut në termocentralin “Kosova B”.

“Në kuadër të funksioneve që kemi duhet të marrim veprimet e nevojshme që të sigurohemi që në atë kohë, sidomos në muajin dhjetor, kur kishte një situatë të rënduar në nivel global, sidomos në kontinentin evropian krizë energjetike. Çmimet ishin tepër të larta dhe anën tjetër kishim edhe një rënie të një blloku të termocentralit ‘Kosova B’. Pra ishte e nevojshme të mbështetej importi që të sigurohej furnizimi i rregullt me energji elektrike. Pra ishte një vendim i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohej edhe mbarëvajtja e ekonomisë së vendit dhe jetës së përditshëm të qytetarëve që të kenë furnizim me energji elektrike”, ka thënë Murati.

I pyetur nga deputetët, Murati ka treguar se pse nuk janë shpërndarë nga qeveria edhe 90 milionë eurot e zotuara për energjinë.

“Mjetet nuk janë ndarë është një zotim i qeverisë, pra nuk ka ndarje. Zotimi ka qenë në kuadër të diskutimeve dhe konsultimeve që janë bërë të task-forcës dhe synimit që Qeveria e Kosovës të mbështesë qytetarët që mos të ketë tarifa të papërballueshme. Shuma që kemi marrë përsipër si qeveri e Kosovës është 90 milionë euro për vitin tarifor. Ky zotim i qeverisë qëndron dhe qeveria nuk i mbetet borxh askujt, pasi shteti vazhdon të qëndrojë.  Zotimi ka qenë 90 milionë dhe zotimi qëndron për vitin tarifor. Ndarjet e këto janë çështje teknike dhe metodologjisë së përcaktuar ndërmjet akterëve që pajtohen për të zbatuar një metodologji, a bëhet me këste, muaj për muaj apo si. Kjo është çështje teknike pastaj”, ka thënë Murati.

Pas këtyre përgjigjeve në debat e sipër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, e ka quajtur spekulante, shefen e deputetëve të LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Unë e kam shumë të vështirë me thënë të drejtën me u barazuar me spekulime dhe me gjithçka tjetër të zonjës Kusari. Prandaj pajtohem se për spekulim kjo është kampion. Kampion je, ju jeni spekulantja më e madhe e këtij Kuvendi”, ka thënë Shala.

Ndërsa Mimoza Kusari-Lila e ka quajtur të papranueshëm këtë etiketim dhe më pas në shenjë revolte, bashkë me deputetë të tjerë të LV-së e kanë lëshuar mbledhjen.

“Nëse fillojmë me etiketime dhe kategorizime ne e lëshojmë Komisionin Hetimor dhe nuk marrim pjesë. Zotëri Shala jeni koleg deputet dhe të quajturit me emra dhe etiketime është e tepruar. Unë thash pyetje spekulative, s’ju thash juve spekulant. Unë s’bëj pyetje spekulative, ju bëni. Rri, uluni aty. Zotëri Shala ndaleni këtë mënyrë patronizuese, s’jeni as profesor i imi dhe as nuk jeni në një pozitë kur mundesh me i thënë një deputeti ‘uluni aty’ apo ‘ngrituni’”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të mbledhjes, deputeti i PDK-së, Ferat Shala para mediave ka thënë se këto janë vetëm pretekste të mazhorancës për t’i ikur përgjegjësisë.

“Kjo është orvatje për t’i ikur përgjegjësisë. Të gjitha të tjerat nuk mundet të arsyetohen nga ndërhyrjet e kolegëve derisa ne po bashkëbisedonim në mënyrë normale me ministrin. Nuk ka përgjigje për paranë, metodologjinë e shpërndarjes. S’ka përgjigje për raportin konsultativ. S’ka përgjigje për ndërhyrjet politike që kanë bërë në ZRrE”, ka thënë Shala.

Edhe shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ministri Murati nuk ishte në gjendje të përgjigjet konkretisht për asnjë pyetje të deputetëve.

“Ministri i Financave nuk ishte në gjendje me u përgjigj në pyetjet e tilla. Ne kërkonim përgjigje për shpenzimet e mjeteve dhe borxheve që ka Kosova karshi importuesve të energjisë. Ai na fliste për metodologjinë dhe mënyrën si do të bëhen. Ne po shohim se nuk ka një gatishmëri që ministri të jep llogari për punën e tij”, ka thënë Tahiri.

Kjo mbledhje ka mbetur të vazhdojë një herë të tjetër, kur të vendoset bashkërisht në mes të kryetarit të komisionit, Driton Selmanaj dhe ministrit Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, në një konferencë…