Musliu për situatën në veri: E qetë, por me mundësi të përshkallëzimit

09 nëntor 2022 | 12:15

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka thënë se gjendja në veri të vendit është e qetë, por me mundësi të përshkallëzimit të situatës.

Musliu pas mbledhjes së komisionit në të cilën ka raportuar drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, në një konferencë për medie ka theksuar se institucionet e vendit janë në krye të detyrës dhe janë të gatshëm për çdo provokim të mundshëm në bazë të rrethanave të krijuara.

“Sot e kishim në raportim rreth gjendjes së krijuar në veriun e Kosovës, drejtorin e Agjencisë për Inteligjencë të Kosovës (AKI) Petrit Ajeti, me të cilin diskutuam gjerë e gjatë dhe u informuam për gjendjen në veri. Sa i përket gjendjes së sigurisë mund të konstatojmë se gjendja e sigurisë është e qetë, por gjithmonë me mundësi të përshkallëzimit. Prandaj, institucionet e sigurisë së vendit janë në krye të detyrës dhe janë të gatshëm për çdo provokim të mundshëm në bazë të rrethanave të krijuara”, ka thënë Musliu.

Ajo ka thënë se sot më shumë se kurrë duhet bashkërendim i institucioneve të vendit. “Bashkëpunim më i theksuar dhe më i madh i qytetarëve të Kosovës me institucionet e sigurisë, me theks të veçantë qytetarëve të veriut të Kosovës, për çka vlen për ta përshëndetur gatishmërinë e qytetarëve të veriut të Kosovës për të bashkëpunuar me organet e sigurisë dhe vendit në Kosovë”, ka thënë Musliu, duke apeluar qytetarët që mos të bien pre e dezinformatave të medieve serbe.

Kryetarja e këtij komisioni po ashtu ka potencuar mbështetjen që i kanë ofruar drejtorit të AKI-së në situatën e krijuar.

“Si Komision për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë jemi unik në qëndrimet tona dhe i ofruam mbështetjen e plotë drejtorit të AKI-së në situatën e krijuar në vend. Ne do të jemi të kujdesshëm të mos i lëndojmë proceset që janë duke u zhvilluar atje. Tanimë shqetësimet i kemi të gjithë të njëjta nga tereni. Gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e qetë por duhet të jemi vigjilentë dhe të matur për të mos provokuar situatën. Deri më tani çdo gjë është nën kontroll. Stacionet policore janë të boshatisura, mirëpo Policia e Kosovës është në krye të detyrës dhe po kujdeset për ruajtjen e rendit atje”, ka thënë deputetja Musliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kohën kur temperaturat kanë filluar të bien dhe mjegulla…