Musolli: Jam gati për Partizanin, vetëm fitorja na mban në lojë për titullin

28 mars 2019 | 19:08

Besar Musolli është gati për ta ndihmuar Kukësin me praninë e tij në fushë në këtë fund të sezonit. Mesfushori kosovar është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi dhe tashmë është në dispozicion të trajnerit Ndreu duke filluar nga sfida e kësaj të premteje ndaj Partizanit që mund të vendosë edhe fatet e titullit kampion.

Në një intervistë për “Supersport”, Musolli ka folur për gjendjen e tij fizike dhe për sfidën e drejtpërdrejtë për titull ndaj Partizanit. “Ka një muaj e gjysmë që kam filluar të bëj stërvitje me grupin. Shyqyr Zotit gjithçka ka shkuar mirë. Ndihem 95 % gati, patëm një miqësore ku u aktivizova për rreth 30 minuta dhe çdo gjë ishte mirë. Tani varet nga trajneri nëse do të aktivizojë ose jo”, ka deklaruar Musolli. “Partizani? Normalisht deri tani ka bërë shumë pasi dhe fakti që është nëntë pikë larg nesh tregon se ka bërë shumë mirë. Mendoj se kjo ndeshje është një finale për ne sepse po na mundën ose barazuan mendoj se janë zyrtarisht kampionë”, ka deklaruar Musolli.

Mesfushori nga Kosova foli edhe për fushën e stadiumit “Loro Boriçi”, duke thënë se ajo i ka sjellë shumë herë fat skuadrës së Kukësit. “E para mendoj se fusha e ‘Loro Boriçit’ të ndihmon të luash futboll pasi, siç dihet, fusha e Kamzës nuk është edhe aq e mirë. Ne kemi zhvilluar ndeshje të tjera atje që na kanë sjellë fat. Shpresoj që edhe kjo të sjellë fat për ne”, ka deklaruar Musolli.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forumi i Gruas së Nismës Socialdemokrate në Gjakovë ka organizuar…