Mustafa: Çështja e taksës është dashur të diskutohet së pari në Qeveri

28 shkurt 2020 | 16:07

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Musfata, ka thënë se propozimi për heqjen e pjesshme të taksës prej 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është dashur së pari të trajtohet në Qeveri dhe pastaj të publikohet.

Në një intervistë për “Klan Kosova”, Mustafa nuk ka treguar nëse e përkrah propozimin e kryeministrit. “Unë nuk po them se e përkrahi apo nuk e përkrahi njoftimin e kryeministrit Kurti lidhur me taksën. Atë që Kurti e dha mbrëmë është dashur të shtrohet në Qeveri. Vendimet publikisht jepen vetëm pasi t’i ketë aprovuar Qeveria”, ka thënë Mustafa.

Ai ka deklaruar se tani kemi të bëjmë me një kërkesë eksplicite të Shteteve të Bashkuara për heqjen e tarifës.

“Kemi një kërkesë më eksplicite të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që tarifa të hiqet dhe të mos zëvendësohet me reciprocitet. Ka edhe një deklaratë nga Bashkimi Evropian që e përshëndesin si hap propozimin e dhënë nga Kryeministri Albin Kurti”.

Sipas tij, këtë çështje Kosova duhet ta diskutojë bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare. “Unë mendoj se duhet të ulemi me bashkësinë ndërkombëtare [SHBA-në dhe BE-në] dhe të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët në mënyrë që të ndërmerren masat që tarifa të hiqet, por po ashtu të detyrohet Serbia që të heq dorë nga të gjitha masat jo-tarifore dhe të heq dorë prej propagandës ose fushatës që po e bënë kundër njohjeve të Kosovës edhe të hapet pastaj rruga për njohjen e ndërsjellë”, është shprehur ai, duke shtuar se ka akoma hapësirë të diskutohet për këtë çështje me LV-në.

“Mendoj se ka akoma hapësirë që me Lëvizjen Vetëvendosje të ulemi dhe t’i shohim të gjitha mundësitë, të gjejmë një zgjidhje e cila e ruan partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian sepse Kosova e izoluar nuk ka perspektivë dhe ardhmëri”, është shprehur Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” edhe këtë vit, ashtu…