Mustafa: Drejtësia shqiptare i mbetet borxh zbardhjes së vrasjes së Ahmet Krasniqit
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, me rastin e rivarrosjes së eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit në Prishtinë ka thënë se duhet të përmbushet edhe amaneti i tij i dytë.
Sipas Mustafës, drejtësia shqiptare i mbetet borxh zbardhjes së vrasjes së Ahmet Krasniqit.
“Të dashur miq, pas njëzet vjetësh, sot trazojmë kujtimet tona të hidhura për aktin e ekzekutimit barbar, nga dora e fshehtë, të kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës që veproi në ekzil. Sot po bëhet rivarrimi i eshtrave të këtij burri të Kosovës, trimi e atdhetari, por drejtësia shqiptare i mbetet borxh zbardhjes së vrasjes së tij, para derës së shtëpisë ku banonte me oficerët tjerë të kësaj ministrie në Tiranë, në Rrugën e Medresesë. Krahas përmbushjes së një amaneti që Baci (siç komunikonim me njëri-tjetrin) të varroset në Kosovë, shtrohet pyetja se si do të përmbushet amaneti tjetër, ai i zbulimit të dorasëve dhe organizatorëve të ekzekutimit të tij, pas zhvarrosjes nga Tirana dhe rivarrosjes në Prishtinë. Edhe këtë duhet ta kishin llogaritur organizatorët”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/