Mustafa kërkon bashkëpunim me opozitën për dialogun me Serbinë

25 gusht 2020 | 11:41

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar unitet për procesin e dialogut me Serbinë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se dialogu me Serbinë do të jetë më i qëndrueshëm nëse pozita dhe opozita bëhen bashkë.

Ai ka paralajmëruar edhe AAK-në, duke thënë se LDK-ja do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse.

 

Postimi i plotë i Mustafës:

Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve.

Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Ëashington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtësor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushte me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës.

Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë.

Qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithësesi edhe brenda Qeverisë. Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin.

LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.

Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Gjilan, ka ndërruar jetë Zijadin Maliqi, drejtor komunal për…