Mustafa komenton Samitin e Berlinit: Duhet të ndodhin sa më parë zgjedhjet në Kosovë

30 prill 2019 | 10:30

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar për takimin e Berlinit, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se deklaratat e presidentit Thaçi se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyar ata në Kosovë.

“Është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje. Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë”, ka shkruar Mustafa.

Postimi i plotë i Mustafës:

Nga pritjet spektakulare, takimi I Berlinit  dha rezultate normale për një përbërje të tillë. Dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe. Nuk ofroi modele dhe nuk përjashtoi modele. Sikurse Kancearja gjermane, Merkel, ashtu edhe Presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Nuk ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë. Për këto çështje vendoset në takimet e ketyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së ( pasi të kryhen zgjedhjet ne PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së.

Deklaratat e Presidentit ThaçI se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyar ata në Kosovë. U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashk aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë.

Është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje. Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe pse mbrëmë pas takimeve në Berlin nuk u tha…