Mustafa: Nuk hyjmë në një proces që s’besojmë se është kushtetues

01 prill 2020 | 11:33

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur para mediave pas takimit që pati sot me presidentin e vendit, Hashim Thacin. Mustafa tha se me presidentin kanë diskutuar për veprimet që do të merren pas mocionit për rrëzimin e qeverisë, kurse ka shtuar se presidenti i ka informuar për opsionet kushtetuese.

“Diskutuam për daljen nga kjo situatë. U informuam nga presidenti për opsionet kushtetuese. Si LDK vlerësojmë se nuk është koha që të shkohet në zgjedhje për shkak të situatës me koronavirus. Po ashtu, jemi të bindur se edhe zgjedhjet në këtë periudhë nuk do të na sillnin në një situatë tjetër jashtë asaj që sot jemi duke marrë pjesë në vullnetin politik të subjekteve që hyjnë dhe dalin në zgjedhje dhe mocionin e mosbesimit e kanë votuar 82 deputetë, që ka të drejtë Kushtetutën ta ndryshojë. Jemi për atë që të bëhet një qeveri e re, që e ka paraparë edhe Aktgjykimi i vitit 2014-t. Kjo qeveri do të zotohej me të gjitha kapacitetet në luftën kundër virusit korona, të punojë në zhvillimin ekomomik sepse do të ballafaqohemi me një situatë shumë të rëndë ashtu si po paralajmërohet. Ne jemi një vend i pazhvilluar dhe duhet të kem një kujdes të veçantë. Po ashtu duhet të jemi të përgatitur për dialogun me Serbinë”, tha Mustafa.

Shefi i LDK-së tha se nuk kanë diskutuar për një emër që mund të propozohet për kryeministër.

“Sot s’kemi diskutuar për emër, por për vullnetin politik. Besoj se presidenti do t’i ndjekë të gjitha procedurat sepse ne në asnjë rast nuk do të hyjmë në një proces që nuk besojmë se është Kushtetues”, ka deklaruar ai.

Kreu i LDK-së u pyet nga mediat edhe për kohën kur Albin Kurti, tash kryeministër në detyrë, e kishte quajtur super kriminel. “Me nis me ia kthy z. Kurti krejt çka ka thënë për mu do ta ulja krejt nivelin edhe timin edhe të subjektit që i takoj. Ajo çka është dhënë më herët për asociacionin, por vetëm që nuk është në harmoni me frymën kushtetuese. S’ka pas shkelje, po ka pas devijim. Tani kemi një aktgjykim që thotë se janë shkel nenet e Kushtetutës. Nëse shkelen të drejtat dhe liritë e mediave është shkelje e rëndë. Nuk po e cilësoj a është dikush kriminel apo më pak kriminel, po ne të gjithë kemi bërë vërejtje në ditën kur është vënë vendimi. Qeveria duhet t’u kërkojë falje qytetarëve që u ka sjellë kufizime dhe, po ashtu, të marrë mend që edhe sa është qeveri në detyrë, të mos marrë vendime të tilla të pushtetit pa kufi që duan ta ushtrojnë në Kosovë”, ka deklaruar Mustafa. /GazetaExpress/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se…