Mustafa: S’ka gatishmëri për zbatimin e marrëveshjes
Ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se duket që as Kosova dhe as Serbia s’kanë gatishmëri për të zbatuar marrëveshjen e Ohrit.
Sipas Mustafës, Serbia është duke vazhduar me avazin e vjetër të destruktivitetit dhe Kosova në anën tjetër sipas tij nuk është duke bërë asgjë përveç deklarimeve për zbatim të plotë të marrëveshjes.
“Nuk shihet gatishmëri e asnjërës palë për të implementuar marrëveshjen e përmbyllur në Ohër. Serbia si zakonisht, njëherë pajtohet pastaj kërkon marrëveshje tjetër për zbatim të marrëveshjes, bllokon me sjellje destruktive. Krerët e Kosovës po shprehin përkushtim formal për përmbushje të plotë të marrëveshjes, por jashtë këtij përbetimi nuk po lëvizin. Në esencë nuk ka gatishmëri nga palët”, ka thënë Isa Mustafa në një përgjigje me shkrim për “Express”.
Duke e parë një situatë të tillë, Mustafa ka thënë se krijohet përceptimi se as Kosova dhe as Serbia nuk e kanë të qartë se për çfarë janë marrë vesh dhe se ndërkombëtarët duket që janë të vetmit që e kanë të qartë rrugën përpara se si duhet të ecin palët.
“Fitohet përshtypja se asnjëra palë, as Kosova dhe as Serbia nuk e kanë të qartë se për çfarë janë marrë vesh. Si duket momentalisht vetëm diplomatët dhe ndërkombëtarët e kanë të qartë sesi duhet të lëvizin palët”, ka thënë Isa Mustafa.
Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në Bruksel dhe më pas janë pajtuar edhe për aneksin e implementimit në takimin e Ohrit më 18 mars 2023. Në këtë marrëveshje është përfshirë çështja e personave të zhdukur, vetëmenaxhimi për komunat serbe dhe zbatimi i marrëveshjeve të kaluara në kuadër të dialogut të Brukselit, ku përfshihet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.