Mustafa: Themelimi i ushtrisë së Kosovës ishte e drejtë e shtetit

14 dhjetor 2018 | 11:36

Me rastin e mandatimit të sotëm në Kuvend të Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka uruar institucionet dhe qytetarët e Kosovës për këtë të arritur shtetërore.

Ai ka thënë se themelimi i ushtrisë së Kosovës ishte nevojë dhe e drejtë e shtetit, prandaj sipas Mustafës kjo është ditë e rëndësishme për vendin tonë.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
themelimi i ushtrisë së Kosovës, ishte nevojë dhe e drejtë e shtetit, prandaj më lejoni që në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës t’ua uroj këtë ditë kaq të rëndësishme për vendin tonë. Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti më e madhe në vend, qoftë në pozitë apo në opozitë, ka përkrahur në vazhdimësi ngritjen dhe aftësimin e FSK-së për t’u shndërruar në Forcë të Armatosur, përkatësisht në ushtri të Kosovës në interes të mbrojtjes së vendit, pra, në interes të çdo qytetari të saj”, është thënë në urimin e Mustafës.

Po ashtu ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë e përkushtuar që ky proces të jetë në vazhdimësi në bashkëpunim me ShBA-të, NATO-n, BE-në dhe aleatët tjerë strategjik të vendit tonë.

“Ushtria e Kosovës do të shërbejë për paqe, siguri dhe stabilitet në vend dhe në gjithë Ballkanin. Prandaj, urime qytetarë!”, ka theksuar Mustafa.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka votuar në lexim të…