Nagavci fton komunat për bashkëpunim në evidentimin e hapësirave për ndërtimin e çerdheve të reja

30 maj 2023 | 14:48

“Edukimi në fëmijërinë e hershme është ndër prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë Kurti dhe në kuadër të përmbushjes së zotimit tonë, kemi hapur tenderin për ndërtimin edhe të katër çerdheve tjera në Deçan, Viti, Milloshevë – Obiliq dhe në Prizren”. Kështu ka thënë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në konferencën për medie të martën, ku ka folur për aktivitetet dhe të arriturat e fundit në arsim.

Nagavci ka theksuar se Ministria e Arsimit do të vazhdojë me realizimin e planit për ndërtimin e çerdheve e kopshteve të reja dhe ka ftuar komunat për bashkëpunim në evidentimin e hapësirave për ndërtimin e çerdheve të reja.

Ministrja Nagavci ka folur edhe për vendimin për ndarjen e 70 bursave në vlerë 500 euro për nxënës në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në drejtimet deficitare dhe bursa për vajza në drejtime teknike.

Po ashtu, ministrja Nagavci ka përmendur certifikimin e 15 këshilltarëve të parë të karrierës të nivelit të 5-të, ku ftoi komunat që të identifikojnë nevojat për këshilltarë të karrierës dhe të inkuadrojnë mësimdhënësit që kanë mungesë të orëve e të cilët shprehin vullnet për t’u rikualifikuar në këtë program.

Ministrja Nagavci ka folur edhe për pakon ligjore për sistemin e licencimit të mësimdhënësve, e cila është prezantuar në fillim të këtij muaji, si dhe risitë që sjellin këto Udhëzime, të cilat do të jenë në diskutim publik deri më 7 qershor 2023.

Sa i përket raportit evropian për Kosovën, ministrja Nagavci ka thënë se ky raport ka evidentuar suksese dhe mesazhe pozitive për Kosovën, përfshirë edhe në fushën e arsimit, ku është përshëndetur lansimi i Strategjisë së Arsimit 2022-2026, ndarja e bursave për studentët e fushave STEM, marrëveshjet e fundit në kuadër të Procesit të Berlinit për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Ministrja Nagavci po ashtu ka folur edhe për lansimin e programit të përbashkët me Ministrinë e Kulturës “Arti në shkolla”, si dhe ndërtimin dhe përurimin e shkollës “Bajram Curri”, në Krushë të Madhe të Rahovecit në vlerë 1,471,538.31 euro.

Ministrja ka theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit me prindër në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim dhe me këtë rast, ftoi komunat dhe shkollat që të respektojnë të gjitha procedurat e parapara me UA.

Në fund, ministrja foli edhe për thirrjet për projekte shkencore, ku ndër të tjera përmendi se në thirrjen e fundit kemi pranuar gjithsej 25 aplikime, ndërsa vazhdon të jetë e hapur deri më 25 qershor 2023 thirrja për projekte të përbashkëta kërkimore, tekniko-shkencore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha (Nuk mund të negociohet për sundimin e…