Nagavci ia parashtron Haradinajt shtatë pyetje për shpronësimet në Shipitullë dhe Hade

30 prill 2018 | 14:23

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, nëpërmjet një konference për medie ka adresuar çështjet e keqmenaxhimit dhe keqpërdorimin në sektorin e energjetikës.

Ajo ka thënë se gjatë muajve të kaluar qytetarët anekënd komunave të Kosovës janë ballafaquar me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

“Edhe pse qytetarët jo vetëm se e kanë paguar rrymën, por kanë paguar më shumë sesa që në të vërtetë kanë kushtuar shërbimet e marra, KEDS-i ka vazhduar në avazin e njëjtë me reduktime të paarsyeshme. Importi i energjisë elektrike për vitin 2017 ka kushtuar rreth 68 milionë euro. Nga viti 2011 deri në vitin e fundit mbi 300 milionë euro janë shpenzuar për import të energjisë, por situata në këtë sektor nuk është përmirësuar fare”.

“Duke pasur parasysh dhe ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, dhe ndryshimin e fundit të tarifave dimër-verë, në tarifën që është më afër shifrës së sezonit dimëror kjo faturë në shpenzimet e gjithëmbarshme të Kosovës dhe qytetarëve të saj bëhet tepër e madhe. Kjo situatë e vërteton dhe një herë përveç të tjerash edhe papërgjegjshmërinë e plotë të KEDS si shkelës i kontratës me qytetarët e Kosovës, gjegjësisht me secilin qytetar që paguan rrymën”, ka thënë Nagavci.

Më tutje ajo ka folur edhe për shpronësimet në Shipitullë dhe në Hade.

“Vitin që shkoi kryeministri Haradinaj mori vendim për kompensimin e të gjitha ndërtimeve në zonën e mbrojtur ekonomike në Shipitullë. Ky vendim u bë në shpërfillje totale të kushtetutshmërisë dhe ligjeve në fuqi. Të gjithë janë në dijeni se në Shipitullë janë bërë ndërtime abuzive duke e ditur saktë se aty një ditë do të shpronësohej për të hapur minierën. Edhe pse kishte dy vendime qeverie, me 2004 dhe më 2009 që ndalonin ndërtimet në këtë zonë, qeveritë dhe komuna e Kastriotit me vetëdije lejuan ndërtime në masë”.

“Njëjtë po ashtu dhe bordet drejtuese të KEK-ut të cilët jo vetëm se nuk e adresuan në nivelin që duhet këtë çështje, por shumë prej tyre janë pjesë e kësaj megaafere në këtë zonë me rëndësi të veçantë. Në bazë të të dhënave as vlerësimi i vlerës së këtyre ndërtimeve nuk u është lejuar vlerësuesve të licencuar. Dhe se ndaj tyre dhe punonjësve të KEK ka pasur kërcënime për të cilat ende sot nuk janë marrë masa. Ndërtimet uzurpuese kanë vazhduar në këtë pjesë jashtëligjshëm, bordi i KEK-ut nuk ka reaguar fare, Komuna e Kastriotit që udhëhiqet nga AAK dhe që madje u fitua nga kjo marrëdhënie klienteliste po ashtu as Ministritë e Mjedisit apo e Zhvillimit ekonomik nuk kanë kurrfarë reagimi”, ka thënë Nagavci.

Në këtë kontekst, ajo ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj e ka obligim të përgjigjet në këto pyetje:

1. A i njeh dhe a do të respektojë vendimet e vitit 2004 dhe 2009 si dhe atë të Qeverisë Mustafa për shpronësim, apo do të kompensojë edhe shtëpitë e ndëtuara pas vitit 2009, gjë që që do të ngriste dyshime të bazuara për korrupsion?

2. Ndërtimet nga cili vit do t’i kompensojnë?

3. Sa ka arritur vlera e plotë e shpronësimit?

4. Kur do të publikohet lista e plotë e të kompensuarve dhe titulli i tyre i pronësisë?

5. Kur do ta bëjë publike listën e plotë edhe të atyre që po u kalohen paratë në llogari bankare edhe pse nuk kanë as tituj pronësie?

6. Si dhe më e rëndësishmja kur do të përfundojë studimi për minierën e re dhe kur do të fillojë nga ndërtimi ajo?

7. Kur planifikohet remonti i Termocentralit “Kosova B”?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman…