Nait Hasani: Asnjë Qeveri s’ka bërë asgjë për zbardhjen e masakrës së Dubravës

21 maj 2019 | 12:19

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i cili i ka mbijetuar masakrës së Dubravës, ka thënë se kjo masakër ka qenë e planifikuar dhe e përgatitur mirë nga shteti serb që nga udhëheqja në Serbi deri te gardianët.

Ai ka theksuar se ajo çfarë ka ndodhur në Burgun e Dubravës nuk ka mundësi të shihet as në filma.

“Këtë e dëshmon edhe mbledhja e të gjithë të burgosurve nga e gjithë Kosova në burgun e Dubravë”, ka thënë Hasani në seancën e Kuvendit të Kosovës që po mbahet për të shënuar 20-vjetorin e masakrës së Dubravës.

Hasani ka treguar se për masakrën e Dubravës kanë ngritur kallëzim penal në Prokurorinë e Pejës më 19 janar 2007.

“Asnjë veprim nuk është marrë për 12 vjet, asnjë qeveri e jona nuk ka bërë asgjë që të zbardhet kjo masakër se ka çarë kokën as Prokuroria e Pejës, kush ka ndikuar të heshtet ky krim, mua dhe të tjerëve na intereson se cili ka qenë qëllimi që është heshtur ky krim”, është shprehur ai, duke shtuar se ata që e kanë kryer krimin në burgun e Dubravës shëtisin të lirë nëpër Serbi.

“Këta kriminelë duhet të arrestohen dhe të ta marrin dënimin e merituar. Pajtimi nuk mund të bëhet nëse nuk dënohen kriminelët”, ka theksuar Hasani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Golden State plotëson pritshmëritë dhe kualifikohet për në finalen e…