Nanë, urime 8 Marsi me 800 hjeki!

08 mars 13:15

Redaktori për kulturë dhe gjuhë i gazetës “Epoka e re”, Berat Dakaj (alias Armagedoni), në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar një koment falënderues dhe një urim për nënën e vet, me rastin e Ditës së Gruas – 8 Marsin, duke përmendur në të jetën e saj, që kur ka nisur të bëhet nënë.

Ja shkrimi i tij i plotë:

Nana jem asht ma e mira në botë. Gjamna një nanë si kjo

Kjo përbri meje është Shefkija. Nëse jua prezantoj në zhargonin e përditshëm, jo them se kjo asht nana jem. Është grua e vetëm një burri dhe nënë e dhjetë fëmijëve. E tetë vajzave dhe e dy djemve. Është martuar herët dhe ka lindur fëmijë deri vonë. Më të gjatin, të trashin dhe të vjetrin në familje, prej fëmijëve, më ka mua. Mbase edhe më të dashurin! Kështu u thotë të tjerëve. Kështu e ndanë dashurinë për fëmijët, ndër fëmijë. Kështu e ndien dashurinë për mua dhe për të tjerët. Ka arsye, sigurisht.

Nana jem para meje e kishte edhe një vajzë, Violetën, por i jetoi shumë shkurt: s’mbushi as një vit jetë. Fëmija i parë që lindi dhe i iku nga gjiri, nuk e rrëzoi përtokë. E bëri më të fortë. Më të ndjeshme. Më të dhembshme. Më të kujdesshme. Më të përmbledhshme.

Kjo nana jem nuk ka shumë vjet sa ia thonë fytyra e bardhë dhe flokët e ngjyrosura, por ka mjaftueshëm dashuri për të shpërndarë për fëmijët e vet, këtu e tëhu, për nipërit dhe për mbesat. Më mirë se kush tjetër e di si rritën fëmijët. I di gëzimet dhe shqetësimet e tyre, të djemve dhe të vajzave. Ka punuar gjatë me ta dhe gjatë për ta, edhe kur një kohë im atë punonte e jetonte në Perëndim (Kroaci, Slloveni, Zvicër, Gjermani…), me mall të madh për gruan dhe për fëmijët që, dorën në zemër, kur vinte në Kosovë, mezi ia lëshonim këmbët atij, mezi i shihnim lotët e nënës në sy.

Nana jem edhe ka qenë e bukur. Më e bukura, edhe më e gjata, atëkohë, në fshat. Kështu rrëfejnë fqinjat, edhe fqinjët.
Kallëzojnë se ka qenë edhe më punëtorja. Unë e kam parë duke ngarë traktorin në ar. Duke lëvruar tokën. Duke hedhur farë në ar. Duke mbledhur sanë. Duke mbledhur tallë. Duke mbledhur misër. Duke mbledhur grurë. Duke thyer bahçen. Duke murosur…

Nga gjinjtë e nanës tem kam pirë shumë qumësht. Shumë e shumë qumësht, më shumë sesa që kanë pirë dy motrat pas meje bashkë.
Nga duart e nanës tem jam përkundur mijëra orë.
Nana më ka knu ninulla.
Nana më ka kallëzu përralla.
Nana ma ka zbut ndjeshmërinë.
Nga duart e nanës tem kam hangër shumë bukë e kam pirë shumë ujë.
Nga duart e nanës jam mësuar të shkruaj e të lexoj.
Nuk e di që më ka rrahur nana ndonjëherë.
Nuk e di që më ka dhënë flakaresh.
Kurrë nuk më ka rënë. Kurrë.

Është dashur të më rrahë dhe të më bërtasë, që t’i them vajzës sime kur më pyet: “Babë, a të ka bërtit ty najherë nana Shefkije?” “Po, po, më ka rrahur, qysh jo”.

Kur kam qarë unë, ka qarë edhe nana jem.
Kur jam gëzuar unë, është gëzuar edhe nana jem.
Të mirat dhe të këqijat i kemi pasur të përbashkëta, si mishi me thoin.
Edhe sot ushqehem prej duarve të saj më të mira në botë.
Edhe sot ushqen me duart e veta jo qindra, por mijëra njerëz, kohë e pakohë, me ushqimet më të shijshme se kudo tjetër në botë.
Kurrë nuk ndalet, e shkreta.
Kurrë nuk i mërzitet puna, amzës sonë.
Kurrë nuk i mërzitet kuzhina, amvisës së palodhshme.
Kurrë nuk i mërziten shtëpia dhe fshati, sepse është e lidhur këmbë e duar me to, sepse aty ka kryer edhe dy-tri lindje, në kushte shtëpie.

Qe besa edhe ankohet nga unazat e qafës e të shpinës kur pushon, por jo kur është në këmbë dhe kur ka punë që, thotë, xhevap s’po mund t’u jap.
Dhe punon shumë.

Babës tem i vjen inat sa herë që i them, zakonisht të shtunave, po punon nana sa tri herë ti, sa tre baba.

Një nanë si kjo, në këto ditë dhe në këtë kohë të marsit të 2018-s, pakkush e ka!
Kjo është drita jonë.
Është shpirti i shtëpisë sonë.
Është gjymtyra jonë kryesore e trupit dhe e fjalisë.
Nanë, të paça e të pafsha edhe kaq sa sot!
Në vend të urimit për ditëlindje muaj më parë dhe të një lule sot për 8 mars, ja këtë copë letër për trupin tënd ta pathyeshëm dhe punën tane të pandalshme.
Shumë të fala nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së…