Narkoza e vizave – mit apo realitet (2)

23 dhjetor 2018 | 18:52

Shkruan: Agron Hoti

Vallja e kritereve
“Heqja e kufijve, garantimi i sigurisë dhe ndërtimi i besimit morën shumë vite pas dy luftërave botërore shkatërruese. Krijimi i zonës së Shengenit është një nga të arriturat më të mëdha të BE-së dhe, si e tillë, është e pakthyeshme. Tani lëvizja e lirë e bën Evropën më të vogël dhe na bashkon. Hyni në tren apo futuni në veturë dhe vizitoni fqinjët tuaj. E tëra është e mundshme pa menduar shumë për kufij” / Dimitris Avramopoulos, komisionar për migracion, çështje të brendshme dhe qytetari nga Komisioni Evropian. Kjo deklaratë shkon drejt frymës së synuar të BE-së. Nuk duhet harruar që kriteret e përgjithshme për procesin e integrimit evropian, përfshirë lëvizjen e lirë, janë shumëfishuar aq shumë sa, po të nxirrnim sot nga BE dhe hapësira Shengen, p. sh. Gjermaninë, Francën apo Italinë, do të ishte e pamundshme për këto shtete që të futen prapë, pikërisht për disa kritere të vështira, të cilat këtyre shteteve nuk u janë kërkuar t’i plotësojnë, sepse ishin vetë këto shtete që filluan procesin e integrimit evropian dhe çdo iniciativë tjetër eurointegruese. Ç’është e vërteta, ato as sot nuk i plotësojnë këto kritere.
P. sh., kryeprokurori i Shtetit edhe sot është nën ingerencat e ekzekutivit në Francë, Itali, Gjermani etj., pastaj lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar as që ishte temë kur pati filluar procesi i integrimit evropian. Atëbotë të gjitha shtetet kishin vetëm një brengë e që ishte siguria e qytetarëve të tyre dhe zhvillimi ekonomik, sepse Evropa ishte pothuaj tërësisht e shkatërruar nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore.
Në një gjendje të tillë ku Evropa ishte ende në gërmadha, ishte e pamundur të krijosh shtet efektiv të rendit dhe ligjit, së paku jo brenda 10 vjetëve siç po i kërkohet Kosovës, sepse një ndërmarrje e tillë brenda 10 vjetëve është më shumë sesa utopi. E kur kësaj i shtojmë edhe rentabilitetin e ulët të zhvillimit ekonomik, i cili edhe sot mbretëron jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin, atëherë çdo zhvillim nëpër segmente të caktuara të shtetit do të ecë tepër ngadalë pa marrë parasysh dëshirën e kombinimeve të ndryshme politike.
As Kosova nuk mund të ishte përjashtim nga shtetet anëtare të BE-së, të cilat, pas Luftës së Dytë Botërore, kishin vetëm një brengë të vetme: sigurimin e kafshatës së gojës, diçka që e patëm përjetuar tmerrësisht edhe në Kosovë. Prandaj, të kesh vetëm 10 vjet shtet dhe ta kesh dyfishin e kritereve për liberalizimin e vizave krahasuar me vendet e rajonit, do të përbënte sfidë edhe për shtete që ekzistojnë që mbi 150 apo 300 vjet. Ndërkohë që e kaluara e Kosovës është aq e dhimbshme saqë qytetari evropian i shekullit XXI as që mund ta paramendojë një tragjedi të tillë njerëzore, çfarë u pati ndodhur qytetarëve të Kosovës nga pushtimi klasik i Serbisë. Pra, shikuar të kaluarën e rëndë historike të Kosovës, sigurisht se duket më tepër se tragjikomike e herë-herë absurd vazhdimi i pakuptueshëm i maratonës së mosliberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si të vetmit qytetarë të kontinentit të vjetër që nuk mund të udhëtojnë të lirë. Absurdi bëhet edhe më i madh kur trendët e komunikimit dhe hapjes së botës janë duke u rritur me parametra të jashtëzakonshëm, ndërkohë që qytetarët e Kosovës kanë mbetur pothuaj tërësisht të izoluar.

Vlera jonë

Shqiptarët, prej pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse nën pushtim jugosllav, vazhdimisht janë solidarizuar me zhvillimet që për synim kishin bashkimin e Evropës. Represioni i vazhdueshëm jugosllav mbi popullsinë shqiptare kishte pikërisht për synim shuarjen e shpirtit evropeizues që dominonte mes shqiptarëve atëherë dhe sot. Të gjitha lëvizjet e shqiptarëve ishin edhe më pro-evropiane sesa vetë lëvizjet e ndryshme brenda Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore.
Pa rënies së komunizmit, shqiptarët – edhe pse të vetëdijshëm që nuk mund të çlirohen nga Serbia me rrugë paqësore – përqafuan lëvizjen çlirimtare paqësore karshi agresorit serb, diçka që Evropa nuk e kishte parë më parë, kjo sepse vlera e çlirimit paqësor s’ishte evropiane, ajo bazën e kishte në Indi, edhe pse lëvizja paqësore e Kosovës vetëm në formë, por jo në përmbajtja i ngjasonte asaj indiane.
Dhe Evropa, duke mos pasur një vlerë të tillë në vete, nuk e vlerësoi atë asnjëherë si dhe sa duhet, edhe për faktin se këtë vlerë e zbatonte një popull, pra populli shqiptar, që në sytë e Evropës vazhdimisht ishte dukur si popull periferik. E kur rruga paqësore si vlerë joevropiane nuk u dëshmua si efektive, atëherë shqiptarët e Kosovës filluan të zbatojnë ato metoda të cilat i kishin përdorur vetë kombet evropiane për çlirim – luftën e armatosur. Të gjitha këto lëvizje kishin një synim të vetëm, pavarësimin e Kosovës si hap drejt arritjes së paqes në Ballkan.
Ashtu siç vazhdimisht është thënë në pothuaj të gjitha qarqet e ndryshme vendore e ndërkombëtare, shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ka konfirmuar katërçipërisht faktin se ka kontribuar dukshëm në demokratizimin dhe evropeizimin e mëtejmë të Ballkanit në veçanti dhe të Evropës në përgjithësi. Si duket ky kontribut i pashoq i qytetarëve të Kosovës asnjëherë s’u mor mjaftueshëm parasysh nga qarqe të ndryshme të BE-së dhe shteteve anëtare të saj. Vetë fakti që pavarësia e Kosovës solli paqe dhe stabilitet në rajon është e arritur e madhe për Ballkanin dhe Evropën që me shekuj kishin gërryer vetveten.
Lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës patjetër se do të jetë vlerë e shtuar për Evropën sepse duke qenë trekonfesional dhe shumetnik siç bashkëjetojmë në tolerancë e akceptancë – që nuk ia gjen shembullin jo vetëm në Evropë – kemi avantazh të theksuar karshi paragjykimeve dhe stereotipave ndërkonfesionale, ndëretnike dhe ndërkulturore ekzistuese gjithandej Evropës dhe globit.
Përparësitë e theksuara që Kosova ua ofron komuniteteve joshumicë në të gjitha dimensionet e zhvillimit shoqëror dhe njerëzor nuk është se mund të hasen shumë në rajonin tonë (që lëviz pa viza) dhe gjithandej nëpër Evropë. Dhe kjo përbën vlerë për shoqërinë e Kosovës, para së gjithash për rajonin, Evropën dhe njerëzimin në përgjithësi.

Imuniteti i BE-së

Tashmë dihet se BE-ja është duke u përballur me katër probleme, secili më i vështirë se tjetri. Kriza financiare së cilës nuk po i shihet fundi, kriza e refugjatëve, dezintegrimi territorial i BE-së siç po ilustrohet nga Brexiti dhe masat restriktive që janë duke penguar zhvillimin ekonomik të BE-së. Të gjitha këto probleme nuk është se mund të adresohen për një kohë të shkurtër, ndërkohë që sa më gjatë që zgjasin aq më e pasigurt do të bëhet BE-ja. Vetë fakti që bisedimet për Brexitin janë duke vazhduar pa fund, tregon për goditjen që ka marrë projekti evropian.
Data 29 mars 2019 do të jetë koha kur Britania e Madhe zyrtarisht do ta fillojë largimin nga BE-ja dhe kjo pritet të zgjasë së paku deri në fund të vitit 2020. Britanisë i konvenon që pas daljes nga BE-ja të ketë politika tregtare të pavarura që mundësojnë marrëveshje për tregti të lirë, ndërkohë që BE-ja e kushtëzon që, së paku, deri në vitin 2021 Britania të mbetet brenda Unionit Doganor të BE-së, duke mos i lejuar Britanisë gjatë kësaj periudhe të bëjë marrëveshje tregtare të pavarura.
Britania e Madhe kërkon që të mos kontribuojë në buxhetin vjetor të BE-së me shuma të “mëdha” financiare, ndërkohë që BE si faturë të daljes i kërkon një shumë prej 40 miliardë funtesh për pagesa të ardhshme. Pra, kjo tregon se sa energjinë janë duke shpenzuar BE-ja dhe Britania e Madhe për t’u ‘shkurorëzuar’ mes vete. Britania e Madhe fillimisht kishte hezitime të anëtarësohej në BE, pastaj mundohej të hynte, por s’e lejonte Franca. Edhe kur hyri, përpos në tregun e përbashkët, kurrë nuk hyri në Shengen dhe Eurozonë, kurse krejt në fund vendosi ta braktisë BE-në.
Pra, BE-ja, sado që është munduar të japë ndjenjën se brenda saj të gjithë janë të barabartë, kjo asnjëherë në praktikë nuk u realizua. Jorastësisht shumë autorë e quajnë “Evropa e shpejtësive të ndryshme”. Qasja e BE-së edhe ndaj aspirantëve asnjëherë nuk ka mundur të jetë e njëtrajtshme. Kjo është manifestuar në mënyra të ndryshme gjatë procesit të integrimit evropian dhe procesit të liberalizimit të vizave. Krizat e ndryshme, përfshirë krizën financiare të vitit 2008, të cilën evropianët ua adresojnë amerikanëve, vetëm sa e thelluan qasjen jokoherente të BE-së ndaj aspirantëve.
Ndërkohë që, edhe Kosova, ashtu sikurse e gjithë Evropa, nuk ka mundur të jetë imune ndaj zhvillimeve globale, sidomos pas krizës financiare globale të vitit 2008. E në këto zhvillime Evropa jo rrallëherë është ndier dhe ende ndihet e cenueshme nga aktorë joevropianë, sidomos nga Rusia, Kina dhe jo vetëm.
Këta aktorë joevropianë, në radhë të parë Rusia, kanë filluar të ndërhyjnë në zgjedhjet elektorale të vendeve të ndryshme të BE-së, pra kanë filluar ta godasin zemrën e demokracisë evropiane. Nuk është e rastësishme rritja e ndikimit të forcave nacionaliste populiste brenda për brenda shteteve anëtare të BE-së duke u bërë pothuajse forca e tretë politike në shtete të caktuara. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Sejdiu,…