
Nasim Haradinaj do të apelojë vendimin e Gjykatës Speciale
Ekipi mbrojtës i Nasim Haradinajt, ka konfirmuar për gazetarët se do të apelojë aktgjykimin dënues të shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Nasim Haradinaj është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë. Edhe kryetarit të kësaj organizate, Hysni Gucatit i është shqiptuar dënimi i njëjtë.
“Presim zvogëlimin e dënimit”, ka thënë avokati i Haradinajt, Toby Cadman, duke shtuar se qëndrimi i mbrojtjes është që Haradinaj të dënohet aq kohë sa ka qëndruar në paraburgim.
Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar më 5 shtator të vitit 2020 dhe që atëherë gjenden në qendrën e paraburgimit të Hagë.
Avokati i Haradinajt ka thënë se pret që trupi gjykues të shqyrtojë në mënyrë të pavarur kërkesën e tyre dhe ta ulin dënimin për klientin e tij.
Seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë për shpalljen e aktgjykimit ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Sipas ligjeve, palët kanë të drejtë që brenda 30 ditëve nga shqiptimi i vendimit dënues, të apelojnë vendimin në Gjykatën e Apelit në Hagë, që funksionon me ligje të Kosovës.