Ndalohet pjesëmarrja e tifozëve të organizuar në ndeshjet e basketbollit

12 dhjetor 2022 | 16:33

Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ka mbajtur mbledhje urgjente pas dhunës së shfaqur në finalen e Superkupës në mes të Prishtinës dhe Trepçës. Ky këshill ka dënuar veprimet e dhunshme derisa mori vendim që të ndalohet pjesëmarrja e tifozëve në mënyrë të organizuar në ndeshjet e basketbollit.

Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ka mbajtur takim pas dhunës që pati të dielën në finalen e Superkupës në mes të Prishtinës dhe Trepçës. Në mbledhjen e jashtëzakonshme, anëtarët e këtij këshilli kanë shprehur indinjatën e thellë dhe i kanë dënuar rëndë incidentet e shkaktuara nga pjesëtarët e grupeve të tifozëve që identifikohen si “Plisat” nga Prishtina, “Torcida” nga Mitrovica, “Arpagjikët” nga Prizreni dhe “Shqiponjat” nga Peja.

Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive kërkon nga të gjitha organet ligjzbatuese që të ndërmarrin urgjentisht veprime përkatëse ligjore për identifikimin e personave që kanë kryer vepra të kundërligjshme dhe t’i marrin masat përkatëse për dënimin e tyre. Njëkohësisht, Këshilli për Sport e dënon ashpër sulmin e shkaktuar nga huliganët ndaj katër zyrtarëve të Policisë së Kosovë, të cilët pësuan lëndime trupore gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si edhe ndaj qytetarëve që, po ashtu, u lënduan nga personat e papërgjegjshëm dhe të gjithëve u uron shërim të shpejtë.

“Jemi njoftuar se dy prokurorë nga Prokuroria e Prishtinës menjëherë kanë dalë në vendngjarje, të cilët, bashkë me zyrtarët e Policisë së Kosovës, janë duke punuar në vazhdimësi për identifikimin e personave që kanë shkaktuar incidentet e mbrëmshme dhe së shpejti priten veprimet konkrete për vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Përveç dëmeve të shkaktuara nga veprimet e tilla huliganeske në aspektin e prishjes së imazhit të përgjithshëm të shtetit dhe institucioneve që përkrahin dhe organizojnë ngjarjet sportive, shkaktimit të veprave të tjera kundërvajtëse dhe penale (sharjet në kor, hedhja e mjeteve piroteknike, pjesëmarrja në sulm fizik etj.), janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale duke dëmtuar pronën publike të palestrës sportive dhe personat keqbërës duhet të mbahen përgjegjës për të gjitha këto shkelje”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.

Këshilli në fjalë ka hartuar kërkesat që të ndalohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit, të cilat organizohen nga Federata e Basketbollit e Kosovës, deri në një njoftim tjetër, kurse ka kërkuar nga të gjitha grupet e tifozëve të cilët deri më tani nuk janë regjistruar te Departamenti i Organizatave Joqeveritare (DOJQ) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ta bëjnë këtë gjë në afatin më të shkurtër kohor dhe, pas regjistrimit, ta deponojnë listën me emrat e kryesisë dhe emrat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të OJQ-së te Drejtoria për Sport e komunës përkatëse.

Këshilli për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ka kërkuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës që t’i aplikojë me rigorozitetin maksimal të gjitha dispozitat normative përkatëse që janë në kuadër të Propozicioneve të Garave të FBK-së, kurse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është kërkuar ta përfshijë në planifikimin buxhetor për vitin 2023 vendosjen e sistemit të kamerave të sigurisë në të gjitha palestrat sportive, ndërsa në vazhdim të procesit vendosja e kamerave të sigurisë të bëhet edhe në të gjitha stadiumet e futbollit.

 

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim zëvendësndihmëssekretarin…