Ndarjet në mes FARK-ut dhe UÇK-së dhe krimet e pretenduara- Cilat janë pretendimet e ZPS-së për Zonën e Dukagjinit?
Në dosjen e saj përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se Zona e Dukagjinit ishte qendër e aktiviteteve të UÇK-së që nga mesi i 1990-ës dhe se më vonë u realizuan aksione të sinkronizuara dhe të organizuara nga Rexhep Selimi kundër objektivave civile si mesazh për “kolonizatorët serbë”. Prokuroria pretendon se për këto sulme, mori përgjegjësinë Shtabi i Përgjithshëm.
Ndërsa, sa i përket funksionimit të zonës, Prokuroria thotë se shtabet e para të saj u krijuan në Jabllanicë dhe Gllogjan, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sa i përket Jabllanicës, Prokuroria pretendon se Lahi Brahimaj i njohur me nofkën “Maxhupi” si dhe “15”, ishte komandant dhe anëtar me gradën më të lartë në Jabllanicë, si dhe shërbeu si urë lidhëse në mes zonës dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Aty thuhet së fillime, Ramush Haradinaj ishte komandant i shtabit në Gllogjan dhe pas sulmit të 24 marsit 1998 tek familja e tij, UÇK-ja doli publikisht në atë zonë duke ndikuar që shtabi i Jabllanicës dhe i Gllogjanit të kordinoheshin për zgjerim dhe konsolidim.
“Përveç krimeve që po kryheshin në Jabllanicë/Jablanica që nga pranvera e vitit 1998,1411 anëtarët e UÇK-së në pjesë të tjera të Zonës së Dukagjinit po ashtu po shënjestronin kundërshtarët”, thuhet në dosjen përfundimtare të Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, më 18 prill 1998, anëtarë të UÇK-së ndaluan, morën në pyetje dhe rrahën Mijat Stojanoviq, Dragoslav Stojanoviq dhe të afërmin e tyre Veselin Stijoviq nën akuzat se ishin spiunë.
Tutje, pretendohet se më 22 prill 1998, anëtarë të UÇK-së i dërguan Rosa Radosheviq, djalin e saj Stanisha Radosheviq dhe Novak Stijoviq në Gllogjan, ku Stanisha Radosheviq dhe Novak Stijoviq u rrahën dhe u morën në pyetje lidhur me njohuritë dhe lidhjet e tyre me policinë serbe.
Krahas kësaj, thuhet se nga mesi i majit 1998, u formua njësia speciale “Shqiponjat e Zeza”, e komanduar nga Idriz Balaj i njohur me nofkën “Togeri”.
Dosja e Prokurorisë, thotë se Shtabi i UÇK-së në Irzniq, ku ishin të vendosura Shqiponjat e Zeza, kishte reputacion për dhunë. Për këtë strukturë, thuhet se rrëmbyen dhe vranë bashkëpunëtorë të dyshuar, përfshirë romë.
Për Balajn, Prokuroria thotë se keqtrajtonte të ndaluarit në Jabllanicë dhe bashkëpunonte me Faton Mehmetajn i cili po ashtu i shënjestronte kundërshtarët.
Për komandën e zonës u tha se u zgjodh më 23 qershor 1998 në Jabllanicë, në të cilën morën pjesë Rexhep Selimi dhe Lahi Brahimaj e që Ramush Haradinaj ishte emëruar komandant zone e Faton Mehmetaj- shef i inteligjencës. Përveç kësaj, thuhet se ky emërim ishte miratuar më pas edhe nga Shtabi i Përgjithshëm.
Kurse, në korrik të vitit të njëjtë, Nazmi Brahimaj thuhet se u bë zëvendëskomandant, ndërsa Fadil Nimonaj i njohur me nofkën “Tigri” thuhet se u emërua në krye të Policisë Ushtarake në këtë zonë.
“HARADINAJ gjithashtu autorizoi MEHMETAJN që “të krijonte strukturën e Shërbimit Informativ të UÇK-së” në zonë bazuar, ndër të tjera, në Rregulloret e Përkohshme. Në mesin e gushtit 1998, Shtabi i Përgjithshëm njoftoi publikisht se MEHMETAJ, së bashku me KRASNIQIN dhe THAÇIN, ishte përfaqësues politik i UÇK-së”, thuhet në dosje.
Nga vera e ’98-ës, Prokuroria përshkruan një strukturë të centralizuar të raportimit ndërmjet brigadave, komandës së zonës në Dukagjin dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Prokuroria përmend edhe vizita të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm në këtë zonë, duke përfshirë katër të akuzuarit, Lahi Brahimajn dhe Bislim Zyrapin.
ZPS: FARK-u ishte objektiv i veçantë i UÇK-së
Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria thotë se forcat e FARK-ut ishin një objekt i veçantë i UÇK-së gjatë verës së 1998-ës.
Sipas Prokurorisë, ushtarët e FARK-ut nën komandën e Tahir Zemajt hynë në Kosovë, fillimisht në Jasiq përpara se të vazhdonin drejt Isniqit e që më pas ata u ngacmuan, u frikësuan, dhe, në një rast, u rrahën rëndë dhe u qëlluan nga anëtarë të UÇK-së, përfshirë Ramush Haradinajn dhe Idriz Balajn.
Prokuroria pretendon se tensionet ndërmjet FARK-ut dhe UÇK-së në Dukagjin arritën kulmin në gusht 1998 pas ofensivës serbe, kur përfaqësues të fshatrave lokale zgjodhën Zemajn për ta zëvendësuar Haradinajn si Komandant të Zonës së Dukagjinit por që Shtabi i Përgjithshëm ndërhyri shpejt për të rivendosur autoritetin e tij.
Tutje, pretendohet se Thaçi dhe Selimi vizituan kazermën e FARK-ut në Prapaqan ku iu kërkua Zemajt që ta hiqte fotografinë e Rugovës nga muri ii zyrës.
Më pas, pretendohet se Selimi i tha Zemajt që ata që nuk i nënshtroheshin Shtabit të Përgjithshëm nuk ishin të mirëpritur në Kosovë, se Shtabi i Përgjithshëm nuk i pranonte ndryshimet e pretenduara në Komandën e Zonës së Dukagjinit dhe se Zemaj kishte gjashtë ditë kohë për të rikthyer komandën e vjetër të udhëhequr nga Haradinaj.
“SELIMI deklaroi se: “[Shtabi i Përgjithshëm] kurrë nuk e ka njohur dhe kurrë nuk do ta njohë këtë linjë institucionale, parlamentin, Presidentin […]”.THAÇI deklaroi se ata “që nuk e njohin Shtabin e Përgjithshëm janë kriminelë dhe ne nuk do t’i lëmë armët në duart e kriminelëve, do të luftojmë kundër tyre”, thuhet në dosje.
Tutje, Prokuroria pretendon se Shefqet Kabashi (i cili ishte edhe dëshmitar në këtë çështje gjyqësore) ishte urdhëruar nga Alush Gashi nga njësia “Mala” e cila vepronte nën kujdesin e Shtabit të Përgjithshëm dhe shoqëronte anëtarët e tij duke përshirë Selimin, që ta vriste Fadil Gashin dhe Dinë Berishën.
Sipas Prokurorisë, këta dy persona ishin udhëheqës të Sferkës, e që Kabashit i ishte thënë se nuk po i zbatojnë urdhrat dhe se ‘duhej të merreshin nën kujdes’. Më tej, thuhet se Shefqet Kabashi nuk e zbatoi urdhrin por në vend të kësaj dërgoi një të afërm të tij që ta paralajmëronte Berishën.
Kurse, më 2 shtator thuhet se Thaçi dhe Selimi e po ashtu edhe anëtarë të tjerë nga Shtabi i Përgjithshëm morën pjesë në një takim me anëtarë të FARK-ut dhe UÇK-së në zonën e Dukagjnit në të cilin Selimi njoftoi rikthimin e Haradinajt si komandant zone, duke theksuar se vetëm Shtabi i Përgjithshëm kishte autoritet për të bërë ndryshime në komandë.
Sipas Prokurorisë, ky takim përfundoi me kërcënimin e Thaçit ndaj ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë në ekzil, Ahmet Krasniqit gjatë një telefonate satelitore.
Në fund të po të njëjtit muaj, Prokuroria pretendon se Shefqet Kabashi ishte urdhëruar nga Alush Gashi për të vrarë anëtarin e LDK-së, Rrok Berisha me arsyetimin se konsiderohej përgjegjës për ofensivën serbe që kishte ndodhur gjatë këtij muaji. Ndërsa, pretendohet se Kabashi nuk e zbatoi këtë urdhër.
Thuhet se pas ofensivës serbe, shënjestrimi i kundërshtarëve në Zonën e Dukagjinit vazhdoi edhe gjatë periudhës së rimëkëmbjes dhe riorganizimit të zonës. Policia Ushtarake dhe strukturat e inteligjencës, si në nivel brigade ashtu edhe në komandën e zonës, mbanin lista të personave të konsideruar të dyshimtë, kryenin arrestime dhe merrnin pjesë në ndalimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e kundërshtarëve, përfshirë anëtarë të LDK-së, bashkëpunëtorë të dyshuar dhe policë lokalë.
Këto struktura raportonin rregullisht te komanda e zonës, përfshirë Ramush Haradinajn, i cili në deklaratat e tij publike fliste për masat e marra kundër kundërshtarëve dhe paralajmëronte se ata që konsideroheshin “tradhtarë” do të përballeshin me të njëjtin ndëshkim.
“Në fund të tetorit 1998, [REDAKTUAR], një gazetar dhe aktivist i të drejtave të njeriut, u shoqërua në shtabin e Jabllanicës, ku u mor në pyetje nga një person që u identifikua si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe për të cilin Sokol DOBRUNA konfirmoi se ishte anëtar i tij.[REDAKTUAR] u lirua, megjithatë, ndërsa po kthehej në shtëpi, [REDAKTUAR] i shpëtoi ngushtë një atentati pas një urdhri ekzekutimi të lëshuar nga Idriz BALAJ. Për më tepër, në mars 1999, ushtarë të Brigadës 132 rrëmbyen dhe morën në pyetje një polic lokal [REDAKTUAR], sepse konsiderohej bashkëpunëtor i forcave serbe; një raport i inteligjencës drejtuar komandës së Zonës së Dukagjinit përmbante hollësi të “rrëfimit” të tij të pretenduar dhe konfirmonte se ai ishte ekzekutua”, thuhet në dosje.
Tutje, pretendohet se pas tërheqjes së forcave serbe në mesin e qershorit 1999, UÇK-ja veproi shpejt për të marrë nën kontroll administratën civile dhe funksionet publike në Dukagjin, duke penguar në mënyrë aktive KFOR-in dhe më vonë UNMIK-un.
Sipas Prokurorisë, shënjestrimi i kundërshtarëve vazhdoi duke marrë një shembull të një rasti që pretendohet se ka ndodhur.
Prokuroria thotë se në mesin e qershorit 1999, anëtarë të njësisë “Shqiponjat e Zeza” u përfshinë në ndalimin dhe keqtrajtimin e një personi në shtabin e UÇK-së pranë Zhabelit. Emri i këtij personi është i redaktuar dhe thuhet se u lirua së bashku me një person tjetër e që të dy nuk u panë më kurrë.
Shembull tjetër për të shpalosur argumentet e veta lidhur me ndjekjen e kundërshtarëve, Prokuroria merr një rast që pretendohet se ka ndodhur rreth datave 23–24 qershor 1999.
Sipas Prokurorisë, Idriz Balaj dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së arrestuan, morën në pyetje, keqtrajtuan brutalisht dhe vranë ushtarë të Brigadës “Mërgimi” të FARK-ut.
“Këto incidente nuk ishin të izoluara. KFOR-i vazhdoi të zbulonte vende ndalimi të UÇK-së në Pejë dhe Gjakovë deri në gusht 1999. Kur u përball me përfaqësues të OSBE-së në fillim të shtatorit lidhur me krimet e kryera në emër të UÇK-së, HARADINAJ deklaroi: Ne nuk kemi politikë të vrasjes së njerëzve. Ne kemi politikë të vrasjes së interesit serb në Kosovë […].”, thuhet në dosje.



