Nderohet komandant Shemi dhe bashkëluftëtarët e tij

26 prill 2018 | 11:18

Në 19-vjetorin e vrasjes nga forcat kriminale serbe, në Mitrovicë është përkujtuar heroi i Kosovës, Shemsi Ahmeti, i njohur si komandant Shemi, si dhe bashkëluftëtarët e tij që kanë rënë në të njëjtën ditë në betejën e Melenicës, më 26.04.1999, Enver Musa, Shemsi Isrefi, Faruk Beqiri, Sokol Preteni, Esat Meholli, Qazim Cimili.

Në varrezat e dëshmorëve në Shipol, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, me bashkëpunëtorë, kryetari i Organizatës të veteranëve të luftës së UÇK-së, kryetari i Shoqatës të veteranëve të luftës së UÇK-së në Mitrovicë, Rafet Ibishi, ish-komandanti i Brigadës 141 “Mehë Uka”, të ZO Shalë e Bajgorës, kolonel Hysni Ahmeti, familjarë të heroit dhe shumë bashkëluftëtarë të tij e mysafirë të tjerë, kanë nderuar komandantin Shemsi Ahmeti dhe dëshmorët e tjerë që ranë bashkë me të në të njëjtën ditë.

Kryetari Bahtiri duke vlerësuar lartë figurën madhore të Heroit Shemsi Ahmeti, komandant i lavdishëm i Njësitit special të Brigadës 141 “Mehë Uka”, ka thënë se ai ishte shembulli më i shkëlqyeshëm se si luftohet e vdiste për lirinë e pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa kryetari i Organizatës të veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se dëshmorët meritojnë respektin e të gjithëve. “Këto ditë janë të dhimbshme për familjarët e dëshmorëve, për ne bashkëluftëtarët e tyre, por edhe për të gjithë ata që e duan lirinë”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës së UÇK-së të Mitrovicës, Rafet Ibishi, ka pohuar se gjithnjë do të përkulen pranë varreve dhe shtatoreve të tyre, në shenjë nderimi e respekti për kontributin e tyre.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka pritur…